Shendet

Dita Botërore Kundër Kancerit, Manastirliu: Vaksina kundër HPV falas

Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit për vaksinimin kundër HPV për mbrojtjen e vajzave ndaj Virusit të Papilomës Humane.

Nga Qendrën Shëndetësore nr.10 në Tiranë, ku pa nga afër procesin e vaksinimit kundër HPV të vajzave 13-vjeçare, Manastirliu tha se 15 mijë vajza në vit përfitojnë nga kjo vaksinë falas.

“Në fazën e parë të vaksinimit që ne e konsiderojmë dhe një fazë pilot, për të parë përthithjen e vaksinave kundër HPV, kemi arritur që të vaksinojmë mbi 2300 vajza të grupmoshës 13-vjeç. Fokusi dhe targeti ynë është që rreth 15 mijë vajza në vit të vaksinohen me këtë vaksinë dhe besoj se do të ia dalim, falë angazhimit të gjithë strukturave tona”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për përmirësimin e trajtimit për sëmundjet tumorale, ministrja e Shëndetësisë ndau lajmin për instalimin e akseleratorit të tretë në Spitalin Onkologjik në QSUT.

“Jo vetëm që kemi katërfishuar buxhetin përsa i përket trajtimeve për sëmundjet tumorale, por kemi përfshirë praktikat më të mira dhe barna inovatore, të cilat do të vijojmë t’i përfshijmë në strukturat tona spitalore si dhe në skemën e rimbursimit. Nga ana tjetër, ne parashikojmë që të kemi një investim, i cili do të rrisë shtrirjen dhe gamën e shërbimeve të radioterapisë, akseleratorin e tretë në Spitalin Onkologjik në QSUT, që pritet që të instalohet në vitin 2024”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë