Shendet

Dita Botërore e Diabetit/ 600 fëmijë të prekur në Shqipëri, mjeku Toti: Mësojuni fëmijët të jenë sa më aktivë

Nga Gazeta Si - Shifrat e personave të prekur nga diabeti po rriten, sidomos pas pandemisë së Covid-19.

Numri i pacientëve që janë diagnostikuar me diabet është rritur me gati 7 mijë, në krahasim me një vit më parë.

Në vendin tonë, përllogariten të jenë rreth 93 mijë persona që trajtohen me diabet, shifër që mund të jetë më e lartë pasi ka persona që nuk e dinë se mund të jenë prekur nga kjo sëmundje.

Ndërkohë, numri i fëmijëve të prekur nga diabeti është rreth 600. Mjeku endokrinolog Florian Toti shpjegon pse janë rritur shifrat e të prekurve me diabet.

“Faktorët janë disa. E para gjatë pandemisë kontrollet rutinë u pakësuan dhe u ndaluan fare. Këto raste që po zbulohen 2 vitet e fundit, janë ato që nuk e dinin. E dyta një arsye mendohet se mund të jetë edhe Covid. Gjithashtu, sa më shumë plaket popullsia, aq më shumë rriten shanset”, shprehet mjeku për median.

Në ditën botërore të Diabetit, mjeku endokrinolog thotë se njerëzit duhet të përpiqen të jenë sa më aktiv.

“Këshilla e parë dhe më rëndësishme, të jeni sa më aktiv, të njihni rrezikun tuaj për diabet, sa mundësi kemi për diabet dhe çfarë mund të bëjmë, 30-40 minuta ecje në ditë, të ushqehemi shëndetshëm dhe në këtë mënyrë të mësojmë edhe fëmijët”, përfundon mjeku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë