Futboll

Disiplina me dënim të butë për Vllazninë, hakmerret ndaj Olsi Teqjas

Stadiumi “Loro Boriçi” do të jetë bosh vetëm për dy ndeshje. Vendimi i Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së është 4 ndeshje pezullim për Vllazninë, por 2 janë me kusht. Një dënim i butë ky për shkodranët, të cilët e mbushën fushën e stadiumit me shishe plastike gjatë ndeshjes me Tiranën disa ditë më parë. Disiplina ka vënë një kusht për Vllazninë, që në rast të përsëritjes të incidenteve të ngjashme, i shtohen edhe dy ndeshje te tjera pezullim nga vendimi i sotëm. Nuk ka pasur gjobë financiare në këtë rast për klubin shkodran.

KF “Vllaznia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 65/3 dhe Nenit 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshja pa tifozë në fushën përkatëse. Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6-mujore”, - shkruhet në vendimin e marrë nga Disiplina sa i takon ndeshjes Vllaznia-Tirana, që përfundoi 0-2 dhe u shoqërua me incidente thuajse gjatë gjithë kohës.

Një dënim i pazakontë këtë herë është ai i lojtarit të Kukësit, Olsi Teqja. Mbrojtësi është dënuar me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti, sepse në një emision televiziv ka dhënë deklarata që kanë dëmtuar interesat e FSHF-së. “Lojtari i KF “Kukësi”, Olsi Teqja, për publikimin e deklaratave kundër interesave të FSHF, në bazë të Nenit 10/1/d. të Statutit të FSHF dhe Nenit 18 të KDS, dënohet me pezullim nga 2 (dy) ndeshje prej aktiviteteve futbollistike”. Ky është vendimi i Disiplinës, që në një farë mënyrë sjell në kujtesë dënimet “për agjitacion e propagandë”.
“Laçi është ekip që dihet tashmë nuk është surprizë. E prisnim të rreshtohej mbrapa. U ndryshua arbitri para ndeshjes. Ne dinim se ishte Andi Koçi, por nuk ishte ai. Megjithatë, nuk duhet të merremi më arbitrat, sepse e dimë që mund të bëhen faktor”, - ka thënë Teqja gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë