Futboll

Disiplina izolon Besën dy muaj dhe dënon “kriminelët” e Kategorisë së Parë

Dënimi i Besës, pas dhunës që shpërtheu gjatë ndeshjes me Bylisin disa ditë më parë, kur arbitrat u sulmuan me shishe dhe gurë nga tifozëria vendase, ishte i prishëm. Komisioni i Disiplinës vendosi sot që skuadra kavajase të luajë 8 javë pa tifozë në stadiumin e saj, ndërsa ndeshjen me Bylisin e humbet 3-0 në tavolinë. Një dënim i pritshëm, ndoshta pak më i butë nga sa mund të ishte menduar. Një dënim që shuan ëndrrën e kavajasve për ta parë Besën në Superiore sezonin e ardhshëm, pasi tashmë Bylisi rival nuk mund të arrihet. Ndeshja Besa-Bylis u ndërpre pas gati 80 minutash lojë, kur rezultati ishte 0-1, për shkak të goditjes së arbitrave.

Lexo edhe:
– Dhunë në Kavajë, breshëri me shishe ndaj arbitrave nga tribuna

Te lista e gjatë e dënimeve të dhëna nga Komisioni i Disiplinës pas mbledhjes së fundit ka një të përbashkët: dënim shumëjavor për shumë futbollistë të skuadrave si Shënkolli, Pogradeci, Tomori dhe Skrapari. Dënime sikur të ishin “kriminelë” dhe jo futbollistë. Dënime që shkojnë nga 5 deri në 10 javë, siç është ai i Klaudjo Pjetrushit të Shënkollit. Mund të kuptohet shumë lehtë se sa të dhunshme janë ndeshjet në Kategorinë e Parë. Besa-Bylis ishte shembulli më i keq, por për fat të mirë ajo ishte një ndeshje e monitoruar dhe pamjet filmike u bënë publike menjëherë me anë të televizioneve dhe rrjeteve sociale. Në fusha të tjera ndodh edhe më keq. Sulmuesit të Tiranës, Majkëll Ngo, i është refuzuar kërkesa për faljen e pjesës së mbetur të dënimit. Bie në sy edhe dënimi i futbollistes Paula Jaku të Juban Danjës me një vit, për shkak të dhunës ndaj zyrtarit të ndeshjes. Imagjinoni vetë çfarë futbolli kemi, kur dhuna vjen edhe nga femrat…

Pamje nga dhuna ndaj arbitrave në ndeshjen Besa-Bylis

Ja dënimet kryesore të Komisionit të Disiplinës:
Lojtari i KF “Shënkolli”, Emirjon Mirdita, për dhunë ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e te KDS, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Lojtari i KF “Shënkolli”, Klaudjo Pjetrushi, për goditje ndaj zyrtarit të ekipit kundërshtar, në bazë të Nenit 48/2e te KDS, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Zyrtari i KF “Besa”, Emiljano Bizhdili, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a të KDS, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
FK “Besa”, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe hedhje te sendeve të forta në fushën e lojës, duke shkaktuar ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes, si dhe duke shkaktuar akte dhune, në bazë të Nenit 49/5 dhe 66/3/c të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 8 ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
Lojtari i KF “Pogradeci”, Anteo Osmanllari, për goditje ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Lojtari i KF “Tomori”, Aldo Dervishi, për goditje ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Lojtari i KF “Skrapari”, Sajmir Gega, për sulm ndaj tifozëve, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Lojtari i KF “Skrapari”, Florjan Kopaçe, për sjellje jo sportive ndaj tifozëve, në bazë të Nenit 48/1/d të KDS, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Rrëzimin e kërkesës se lojtarit të KF “Tirana”, Michael Ayodeji Ngoo, si të pa bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.

Lojtarja e “Juban Danja” femra, Paula Jaku, për dhunë ndaj zyrtares të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b të KDS, dënohet me 12 muaj pezullim nga aktiviteti.

 

Më Shumë