Nga Hana Hong*- Për një kohë të gjatë mendoja se po bëja gjithçka si duhet në takime romantike.
Pas daljes nga një lidhje tetëvjeçare- dhe më pas një ribashkimi që më la emocionalisht të rrënuar për vite pa e kuptuar plotësisht- kalova disa vite në një fazë të çuditshme “mes-dy-gjërave”.
Në teori, po përpiqesha: dilja në takime, njihja njerëz të rinj dhe përpiqesha të mbetesha e hapur edhe kur më dukej lodhëse. Por në realitet, shpesh ishte thjesht një rutinë mekanike, sikur po luaja një rol që e kisha mësuar mirë.
Kisha mjaft distancë për të ndier kontroll, por jo aq vetëdije sa të kuptoja si po më formësonte ajo distancë.
Pas një numri të madh takimesh, fillova të vërej një model: i trajtoja takimet si audicione.
Shfaqesha e rregullt, e angazhuar dhe me pyetjet “e duhura”.
Nëse personi tjetër më pëlqente, më shkruante dhe kërkonte të më shihte sërish, ndieja një lehtësim të menjëhershëm- sikur kisha kaluar një provim.
Por ajo ndjesi zgjaste pak, dhe më e rëndësishmja: rrallë ndaloja të pyesja veten* a më pëlqente mua ai person?
M’u desh kohë të kuptoja se nuk po dilja në takime për lidhje reale, por për validim. Dhe sipas terapistëve, ky dallim është delikat, por shumë i rëndësishëm: shpesh duket si sjellje normale, por në thelb lidhet me nevojën për t’u “zgjedhur”, jo për të njohur dikë vërtet.
Shenja që po kërkon validim, jo lidhje reale
1. Mendon më shumë për idenë e një partneri sesa për personin përballë.
Nëse mendja të shkon më shumë te “si do dukej jeta në një lidhje” sesa te vetë personi, mund të jesh më i lidhur me fantazinë sesa realitetin.
2. Kimia është e fortë në takim, por zhduket kur jeni larg.
Gjithçka duket mirë në moment, por nuk ka thellësi emocionale jashtë takimit.
3. Hapesh shumë shpejt emocionalisht.
Intimiteti i shpejtë mund të krijojë iluzion lidhjeje, pa pasur bazë të qëndrueshme.
4. Mban kontakt, por shmang planet reale.
Mesazhe ka, por takimet konkrete shtyhen ose mbeten të paqarta.
5. Je i/e paqëndrueshëm
Interesi rritet kur ke nevojë për vëmendje dhe bie kur ajo merret.
6. Të gjitha bisedat me njerëz të ndryshëm duken njësoj.
Kur mungon fokusimi te një person, gjithçka kthehet në “model”.
7. Të pëlqen më shumë faza e flirtit në fillim sesa lidhja.
Interesi bie sapo personi tjetër bëhet i disponueshëm.
Si dilet nga ky cikël
Hapi i parë është të mos e gjykosh veten. Është normale të kërkosh validim- është njerëzore. Problemi fillon kur ai bëhet motivi kryesor.
Pastaj vjen pjesa më e rëndësishme: të zhvendosësh fokusin nga “a më zgjedh ky person?” te “a ndihem mirë unë me këtë person?”
Sa më shumë kalon nga performanca te kurioziteti i vërtetë, aq më afër je lidhjes reale.
Dhe ndoshta ndryshimi më i madh vjen kur ndalon së kërkuari vërtetimin jashtë vetes- dhe fillon të vëzhgosh çfarë ndjen realisht, pa audiencë./ Self.com
Shënim: Hana Hong është një shkrimtare për modën dhe stilin e jetës. Ajo kaloi gati gjashtë vjet në Real Simple si Redaktore e Bukurisë dhe Modës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje