Pesë diplomatë të Perëndimit nisin më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.
Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.
Diplomatët zhvilluan takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë ardhur në Prishtinë me një plan të cilin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti. Por nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë me Vuçic. Nuk do të japë detaje”, ka thënë Lajçak.
Ai ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Lajçak ka thënë se pa formimin e Asociacionit, Kosova nuk mund të bëjë përparim drejt rrugës në Bashkimin Evropian.
Autoritetet në Beograd kanë thënë nderkohe se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00.
Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.
Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.
Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.
“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.