Kosova

Dinari bën sërish bashkë sot Bislimin e Petkoviçin në Bruksel, a do të ketë zgjidhje?

Nga Gazeta 'Si'-Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të zhvillojnë raundin e dytë të takimeve në Bruksel të ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, lidhur me çështjen e dinarit.

Mbajtjen e këtij takimi e bëri të ditur vetë Lajçaku më 19 mars, pas takimit që ishte zhvilluar mes kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.

Ai tha se diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas tij, si në Prishtinë, po ashtu në Beograd ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe ka trajtuar çështjet urgjente që prekin dialogun.

Ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete.

Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, tha Kurti.

E ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, shtoi se është e rëndësishme që të ndryshohet mënyra e zbatimit të kësaj rregulloreje.

“Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar, ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë