Kombetarja

Dilema e madhe e Dukës, Reja apo një trajner shqiptar?

Në deklaratat e tij të fundit publike, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka konfirmuar dilemën e tij të madhe: të vazhdojë me Edi Rejën, apo të sjellë një trajner të ri në Kombëtare. Ashtu siç Gazeta Si bënte të ditur një ditë më parë, dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë kanë ngritur dyshime të forta për vazhdimin me italianin dhe se rinovimi i kontratës me të nuk konsiderohet më formalitet, si para Andorrës dhe Francës. Presidenti Duka kuptohet që nuk është më aq i bindur për 74-vjeçarin.

“Nuk i kam lexuar deklaratat e Rejës dhe nuk kam biseduar me të. Para ndeshjeve thashë se asgjë nuk është perfekte dhe nëse bëjmë bilancin e kohës që Reja ka punuar, peshorja anon nga pozitivja. Nuk ngurroj të them se në dy paraqitjet e fundit ka përgjegjësi edhe trajneri, i cili me aq eksperiencë sa ka, nuk duhet të lejonte nënvlerësimin e Andorrës. Duhej ta motivonte ndryshe ekipin, por sërish qëndroj te mendimi pozitiv dhe do të ulem për të diskutuar me të. Patjetër që kam lëkundje në momente emocionale dhe kur mbaron ndeshja me një rezultat negativ shkarkon jo vetëm Rejën, por çdokënd që ke përpara.

Trajneri italian, Edi Reja. Gazeta Si, 19 nëntor 2019

E mira është të gjykosh më gjakftohtësi. Humbja me Francën nuk ka të njëjtën peshë me barazimin me Andorrën. Mendova një rezultat pozitiv, por nuk ndodhi. Kam përgjegjësi edhe drejtimin e FSHF-së, përveçse jam tifoz, ndaj dhe tek unë zhgënjimi është dopio. Do të diskutojmë për një kontratë të re me Rejan, do t’i propozojmë të vazhdojmë”, - tha presidenti i FSHF-së gjatë emisionit “Presing” në lidhje me bashkëpunimin me trajnerin italian, duke i qëndruar linjës së vazhdimit që e kishte përmendur para dy ndeshjeve të fundit.

Por më tej kreu i FSHF-së e ka bërë situatën të dyshimtë me një pohim të befasishëm. “Sipas meje, është koha që një trajner shqiptar të jetë në krye të Kombëtares, por nuk i heq mundësinë asnjë kombësie tjetër. Kemi trajnerë shqiptarë të përgatitur, por kemi filluar këtë projekt dhe nuk është profesionale ta ndërpresim. Është më mirë të jetë një trajner që e njeh mirë ekipin. Në një projekt afatshkurtër është e vështirë të marrësh rezultate, edhe De Biazit iu desh kohë. Për rezultate duhet të njohësh mirë ekipin dhe mentalitetin e tij” - është shprehur Duka.

Dy pohime kontradiktore, që tregojnë se ai nuk është 100% i bindur për të vazhduar me italianin 74-vjeçar. Thotë se Rejës do t’i propozohet vazhdimi i bashkëpunimit dhe se nuk është profesionale të lihet në mes një projekt, më pas flet për “kohën e duhur” për një trajner shqiptar. Në rastin konkret, ndryshe nga situata me Panuçin, FSHF-ja nuk ka asnjë penalitet nga kontrata me Rejën, sepse ajo ka përfunduar, kështu që është e lehtë për të ta ndryshojë trajnerin, nëse do. Kohët e fundit, dy ish-lojtarë me peshë të Kombëtares, Altin Lala dhe Rudi Vata, kanë folur për trajnerë shqiptarë në krye të kuqezinjve. I pari propozoi Ilir Dajën, kurse i dyti Skënder Gegën. Më parë është përmendur edhe Besnik Hasi. Ndoshta ka ardhur vërtet koha për një trajner shqiptar në krye të Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë