Futboll

Diktaturë te Benfika, ja si e kontrollon trajneri gjumin e lojtarëve

Benfika mban vendin e dytë në klasifikimin e kampionatit portugez, me pikë të barabarta me Porton, por humbja e rëndë në Lisbonë me rivalët historikë e ka tronditur fort ambientin te “shqiponjat”. Edhe pse ndeshja në fjalë është luajtur që më 24 gusht, polemikat te Benfika nuk kanë reshtur, veçanërisht për një çështje: skuadra nuk grumbullohet një natë para ndeshjeve në shtëpi. Stafi teknik e ka eliminuar këtë lloj grumbullimi, por ka vënë disa rregulla shumë më të forta.

Trajneri Bruno Lage në lidhje me këtë çështje, është shprehur: "Kemi vënë rregulla për lojtarët. Ata mbajnë në dorë një byzylyk elektronik për kontrollin e gjumit, kështu që u japim atyre mundësinë të jenë në shtëpi në mbrëmje, me dyshekun dhe jastëkun e tyre. Ditën tjetër kontrollojmë gjithçka dhe këtu bëjnë përjashtim vetëm ndeshjet që vijnë pas impenjimit të lojtarëve me ekipet kombëtare. Ka trajnerë që i lejojnë futbollistët të pinë një gotë verë para ndeshjeve. Pastaj ndodh që vjen një filxhan, një shkelje syri dhe brenda tij nuk ka kafe, por alkool. Pastaj futbollistët pinë dy gota verë dhe një uiski, ndërkohë që janë në grumbullim. Ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër. Në futboll duhet të fitosh apo humbësh në fushë, jo jashtë saj”.

Bruno Lage, trajneri i Benfikës. Gazeta Si, 15 shtator 2019

Ky është shpjegimi që trajneri i Benfikës i ka dhënë zgjedhjes së tij, por një pjesë e opinionit sportiv është kundër, sepse duket si një diktaturë ndaj futbollistëve, një rregull i ekzagjeruar. Lage duket i vendosur për të vazhduar me “dorë të hekurt”, por gjithçka varet nga rezultatet. Nëse ekipi i përgjigjet në fushë, atëherë zgjedhja e tij do të konsiderohet e drejtë, në të kundërt trajneri do të kryqëzohet. Një “bast” vërtet i rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë