Kosova

Digjet makina në Leposaviç pas konvertimit të targave

Një makinë në Leposaviç të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën makinës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtejshëm për aktorët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Djegia e makinës në fshatin Krajkovë të Leposaviçit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky incident ndodhi disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të makinave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është makina e vetme që është djegur, janë disa makina që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, komentoi për ngjarjen në Leposaviç, por edhe për siç tha ajo, kërcënimet që serbët në Kosovë po përballen nga "strukturat ilegale".

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Edhe në të kaluarën, autoritetet kishin fajësuar strukturat në veriun e banuar me shumicë serbe, për djegien e makinave. Në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Tëitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.

Më 31 tetor, autoritetet në Kosovë kanë thënë se skadon afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Nga Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - kanë paralajmëruar për bllokim të rrugëve, nëse Kosova konfiskon makinat dhe targat. Qeveria e Kosovës, më herët kishte thënë se pas 31 tetorit, makinat me targa serbe, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë