Ushqim

Dieta volumetrike, ha sa të duash dhe do të dobësohesh

Kur Barabra Rolls, nutricioniste, pedagoge në Universitetin e Pensilvanisë si dhe gazetare në fushën e të ushqyerit dhe obezitetit në disa revista, krijoi dietën volumetrike kishte një ide mjaft të thjeshtë: të ngopesh me pak kalori.
Çfarë është Dieta volumetrike?
 Anila Kalleshi, dietologe dhe nutricioniste klinike i tha Gazetës "Si" se dieta volumetrike është një dietë që bazohet në një koncept shumë të thjeshtë: njerëzit duan të hanë dhe nuk duan të ndihen të uritur në të njëjtën kohë.

Anila Kalleshi

Ajo tregon se edhe kur duan të dobësohen zgjedhin gjithmonë dieta, të cilat u ofrojnë atyre të hanë më shumë. Kjo shpjegon se pse kur zgjedhim dieta të kufizuara në shumicën e rasteve, nuk arrijmë rezultatet e dëshiruara, madje, kur jemi të privuar nga ushqimi priremi gjithmonë e më shumë t’u kthehemi zakoneve të cilat na çuan deri në shtimin e peshës.
Si funksionon dieta volumetrike?
Anila thotë se dieta volumetrike fokusohet në densitetin e energjisë së ushqimeve dhe fuqinë e tyre ushqyese.
"Qëllimi është që stomaku, duke marrë sasi të mëdha të ushqimeve me kalori të ulët, por me një vëllim të madh dhe fuqi ngopjeje, të bëjë që rrjedhimisht të ndjehemi të kënaqur dhe jo sikur jemi të privuar nga ushqimi." thotë ajo.
Në këtë regjim ushqimor propozohet rritja e konsumit të ushqimeve me kalori të ulët.
Pra, mund të hani shumë, në disa raste edhe më shumë sesa keni ngrënë më përpara, pa fituar peshë, madje duke u dobësuar.
Sidoqoftë, Anila thotë se duhet preferuar konsumimi i ushqimeve shumë të pasura me fibra dhe ujë.
"Krahasuar me dietat e tjera, kjo dietë nuk premton një humbje të shpejtë në peshë, por të moderuar dhe konstante, pothuajse mund të humbësh një kile në javë." tregon Kalleshi.
Ajo i tha Gazetës "Si" se dieta volumetrike nuk përjashton asnjë ushqim, por sigurisht që sugjeron zgjedhjen e ushqimeve me bazë të ulët kalorike dhe për këtë qëllim ushqimet ndahen në 4 grupe në bazë të dendësisë së tyre kalorike:
Dendësia shumë e ulët çka përfshin frutat dhe perimet, qumështin e skremuar, kosin pa yndyrë.
Dendësia e ulët që përfshin frutat dhe perimet, drithërat integrale, mish pa yndyrë, peshk.
Dendësia mesatare që janë djathrat, mishi, pica, akullore dhe ëmbëlsira.
Dendësia e lartë që përfshin bukë, patatet, çokollatë, fruta të thata, biskota, vaj, gjalp.
"Ndër ushqimet që duhen konsumuar më shpesh janë ato që i përkasin dy grupeve të para, të pasura me fibra, proteina dhe omega 3" thotë Anila Kalleshi.
Gjithashtu, mund të konsumoni supa të ndryshme, fruta dhe perime të freskëta, kos dhe qumësht pa yndyrë. Midis vakteve mund të konsumoni fruta të freskëta, perime, lëngje frutash të përgatitura vetë dhe në darkë mund të konsumoni një çaj sipas dëshirës.
E pyetur nga Gazeta "Si" për problemet e mundshme që mund të hasim gjatë rrugës me dietën, ajo shpjegon se nuk ka asnjë problem specifik për aq kohë sa njerëzit që e përdorin këtë dietë janë nën kujdesin e një eksperti, i cili vlerëson situatën në mënyrë specifike.
Anila na tregon se natyrisht dhe ata që ndjekin këtë dietë në të cilën ndjenjën e ngopjes e arrijnë me sasi të mëdha të ushqimeve me kalori të ulët nuk mund të arrijnë qëllimin e dëshiruar, "sepse jo të gjithë ne e ushqejmë veten në të njëjtën mënyrë" dhe për shkak se nuk jemi gjithmonë në gjendje të konsumojmë sasi të mëdha të frutave dhe perimeve por sidoqoftë, dieta volumetrike premton shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë