Futboll

Diego Kosta dhe vëllezërit e tij, dënimet rekord në futboll!

Skualifikimet janë pjesë e lojës së futbollit, por ka skualifikime dhe skualifikime. I fundit është rasti i Diego Kostës, por si mund të harrohet “karateja” e Erik Kantona në Angli, kafshimi i Luis Suarezit ndaj Kielinit, sherri i Arda Turan apo dhe raste të tjera.

Dënimi i sulmuesit të Atletiko Madrid, Diego Kosta, që do t’i mungojë skuadrës spanjolle deri në fund të sezonit, nuk është për rekord. Janë të shumtë futbollistët e skualifikuar për shumë e shumë javë, madje edhe me muaj. Dënimi më i famshëm është ai i francezit Erik Kantona, i cili sulmoi një tifoz në shkallët e stadiumit. Në Itali mbahet mend rasti Materaci-Çirilo, ndërsa një tjetër rast i bujshëm është kafshimi i Suarezit në Botëror. Ja disa prej lojtarëve që kanë marrë dënimet më të rënda në historinë e futbollit:

Diego Kosta në momentin e ndëshkimit me karton të kuq

Diego Kosta, Atletico Madrid (2019). Sulmuesi spanjoll është dënuar pak ditë më parë me 8 ndeshje pezullim, pasi ofendoi rëndë arbitrin e ndeshjes me Barcelonën, duke kaluar çdo limit. Regjistrimi audio i episodit i dha të drejtë arbitrit për vendimin e marrë.

Marko Materaci, Inter (2004): Dy muaj skualifikim për mbrojtësin e Interit dhe të Italisë vite më parë. Ai u dënua, pasi goditi me grusht mbrojtësin Çirilo në ambientet e brendshme të stadiumit, në korridorin që të çon në dhomat e zhveshjes.

Pepe, pasi është ndëshkuar me karton të kuq kur luante me Real Madrid

Pepe, Real Madrid (2009): Një nga mbrojtësit më të ashpër të viteve të fundit, portugezi Pepe, u skualifikua për 10 javë, pasi bëri një ndërhyrje brutale ndaj lojtari të Getafes dhe më pas goditi me kokë një tjetër lojtar të këtij ekipi. Më keq nuk mund të bënte.

Paolo Di Kanio, Sheffield Uednsdei (1998): Sigurisht, nuk mund të mungonte në këtë listë një nga futbollistët italianë më të dhunshëm. Paolo Di Kanio u skualifikua me 11 ndeshje, pasi shtyu arbitrin Alkok, ku luante me Shefilld Uednsdei.

Erik Kantona, kur sulmoi brutalisht tifozin e Kristal Palasit

Erik Kantona, Mançester Junajtid (1995): Një nga dënimet më të rënda në historinë e futbollit, pasi lidhet me një nga ngjarjet më të rënda. Futbollisti i njohur francez u skualifikua për 9 muaj, pasi goditi me shkelm një tifoz të Kristal Palasit në shkallët e stadiumit.

Suarez dhe Kielini pas kafshimit të famshëm në Botërorin e 2014-ës

Luis Suarez, Uruguai (2014): Katër muaj skualifikim për kafshimin që sulmuesi i Uruguait i bëri mbrojtësit të Italisë, Xhorxhio Kielini, në Botërorin e 2014-ës. Suarez ka marrë edhe dënime të tjera të rënda në karrierë, ai është dënuar me 10 javë pezullim për një kafshim ndaj Ivanoviç dhe 8 javë për një sulm racist ndaj Evra.

Xhoi Barton, QPR (2012): Mesfushori anglez, i njohur për kartonët e shumtë të kuq që merr dhe për ndërhyrjet e ashpra, është dënuar me 12 ndeshje, pasi goditi me shkelm Karlos Tevezin dhe Serxhio Aguerron gjatë një ndeshje ndaj Mançester Sitit në vitin 2012.

Arda Turan me fanellën e Bashakshehirit

Arda Turan, Istanbul Bashakshehir (2018): Rikthimi në Turqi i mesfushorit Arda Turan bëri shumë bujë vitin e kaluar, por shumë shpejt ish-lojtari i Barcelonës u bë protagonist negativ. Ai u dënua me 16 javë pezullim, pasi shtyu dhunshëm një arbitër anësor gjatë një ndeshjeje.

Brandao, Bastia (2014): Braziliani i Bastias në kampionatin francez mori një dënim prej 6 muajsh, sepse goditi me kokë mesfushorin Tiago Mota të PSG-së në vitin 2014.

Navarro, Kruz dhe Korba në sherrin pas ndeshjes Valencia-Inter

David Navarro, Valencia (2007): Plot 7 muaj skualifikim për Navarron, për atë sherr masiv pas ndeshjes mes Valencias dhe Interit. Në sherr u përfshinë thuajse të gjithë lojtarët dhe në atë kohë u dënuan 6 javë Burdiso dhe Maikon, tre javë Kordoba dhe dy javë Kruz.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë