Futboll

Dibala kërkon pagë më të lartë se Pogba, Ikardi do vetëm Juventusin

Merkatoja verore ka aktualisht disa pista të nxehta, kryesisht në aksin Itali-Angli. Sulmuesi belg, Romelu Lukaku, kërkohet si nga Interi, ashtu edhe nga Juventusi. Ideja e fundit është shkëmbimi i Lukakut me Dibalan, por situatat ndryshojnë çdo moment dhe kanë efekt edhe te lëvizjet e tjera.

“The Sun” në Angli bën me dije se pretendimet për pagën nga sulmuesi argjentinas, Paulo Dibala, janë mjaft të larta, rreth 20 milionë euro në vit. Drejtuesit e Mançesterit i konsiderojnë shumë të larta këto pretendime, por shtypi italian shkruan se Dibala ka kërkuar realisht gjysmën e kësaj shume. Lojtari u ka dhënë fund pushimeve dhe është kthyer në Torino, ku pas testeve mjekësore, duhet të flasë nga afër me trajnerin Murico Sarri për të kuptuar projektin e tij dhe për të marrë më pas vendimin e duhur për të ardhmen. Juventusi apo Mançesteri? Nëse ajo që shkuan “The Sun”, - se Dibala ka kërkuar një rrogë prej 350 mijë sterlinash në javë, apo 19.7 milionë euro në sezon, - është e vërtetë, atëherë ka pak gjasa që argjentinasi të shkojë te Mançesteri. Bëhet fjalë për një rrogë më të lartë se ajo e Pol Pogba, i cili përfiton 300 mijë sterlina në javë. Me këto shifra, është e vështirë që Mançester Junajtid ta bëjë shkëmbimin Lukaku-Dibala.

Për shtypin italian situata nuk është kështu. “Gazzetta dello sport” bën me dije se kërkesat e Dibalas janë për 10 milionë euro në sezon, pra për gjysmën e shifrës së pretendojnë anglezët. Në këtë situatë, gjithçka mbetet e bllokuar dhe më shumë do të mësohet pas takimit të lojtarit argjentinas me trajnerin Sarri.

Mauro Ikardi

Edhe tek Interi ka një çështje të rëndësishme që duhet zgjidhur: e ardhmja e Mauro Ikardit. Sulmuesi argjentinas dhe Interi duhet të qartësojnë gjithçka sa më shpejt dhe një hap përpara ka bërë Ikardi. Ai e ka bërë të qartë se dëshiron të luajë për Juventusin, në të kundërt qëndron tek Interi. Kjo do të thotë se as Napoli, as Roma dhe asnjë ekip tjetër jashtë Italisë nuk janë në garë për ish-kapitenin zikaltër. Nëse Juventusi nuk bën gjë për Lukakun, atëherë kalimi i Ikardit në Torino bëhet gjithmonë e më i mundshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë