Politike

Dialogun apo izolimin? Paralajmërimi i fortë i ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarëve po u sos durimi me faktin që deklaratat e tyre për shmangie të dhunës, qetësi e dialog po bien në vesh të shurdhër njëra pas tjetrës. Këtë e tregoi gjuha e tyre e drejtpërdrejtë drejtuar klasës politike shqiptare pak para protestës së radhës të Partisë Demokratike.

Përmes deklaratave në dukje të koordinuara mirë, ambasada amerikane, ajo gjermane dhe përfaqësitë e tjera diplomatike në Tiranë kërkuan nga udhëheqësit e opozitës, që jo vetëm të shmangin dhunën në tubime, por edhe ta dënojnë atë publikisht.

Kjo nuk është hera e parë që prej 21 shkurtit që përsëriten këto thirrje, por është hera e parë që ambasada amerikane përmend në emër dhe mbiemër dy udhëheqësit e opozitës, duke i cilësuar ata si përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen paqësore të protestës.

“Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, thuhet në deklaratë.

Johann David Wadepul i CDU

Përgjegjësi u caktohet edhe forcave të rendit, nga të cilat ambasada kërkon vetëpërmbajtje edhe në rastet e provokimeve nga ana e protestuesve, ndërsa kujton se dhuna po dëmton përpjekjet për reforma dhe perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian.

Me një gjuhë të ngjashme reagoi edhe ambasada gjermane, por risia ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë nga Berlini. Përmes Deutsche Welle, zëri zyrtar i Gjermanisë, Ministria e Jashtme dhe grupi më i madh parlamentar në Bundestag, CDU/CSU dënojnë dhunën dhe kërkojnë nga të gjitha palët që të hyjnë në dialog pa kushte. Dialogu pa kushte nënkupton që opozita të heqë dorë nga kushti i saj për largimin e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie tranzitore. Rama fajësohet drejtpërdrejtë si nxitësi dhe mbështetësi kryesor i shitblerjes së votës, na platformën e qeverisë tranzitore të hartuar nga Partia Demokratike. Ndaj, largimi i tij është kushti kryesor. “Ai nuk mund të garantojë sukses të luftës kundër shitblerjes së votës”, thuhet platformën e opozitës.

CDU/CSU kërkojnë që të hiqet dorë urgjentisht nga kushtet dhe parakushtet dhe bën qeverinë e opozitën njësoj për stabilitetin dhe integrimin e vendit.

Christian Schmidt i CSU

“Qeveria dhe opozita tani duhet të hyjnë në dialog urgjentisht dhe pa asnjë parakusht dhe të jenë të gatshme për kompromise. Të dyja palët janë njësoj përgjegjëse për paqen e brendshme dhe për krijimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

CDU/CSU mbyll reagimin me një paralajmërim. “Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës", përmbyllet deklarata e që mban firmën e Johann David Wadephul, kreu i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në Bundestag nga CDU dhe Christian Schmidt i CSU-së që mban postin e raportuesit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit gjerman.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në një deklaratë po për Deutsche Welle thotë se po i "vëzhgon me shqetësim të madh zhvillimet në Shqipëri", e sidomos "kërcënimin ndaj drejtuesit të zyrës së OSBE-së në Shqipëri". Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bën thirrje organizatorëve të protestave që të heqin dorë nga kërcënimet dhe përdorimi i dhunës. "E drejta e demonstrimit është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Dhuna, siç e pamë atë të shtunën e kaluar, është krejt e papranueshme", përfundon deklarata e saj.

Kjo deklaratë i parapriu si protestës së radhës të opozitës, ashtu edhe vizitës së ministrit të Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj në Berlin. Cakaj u takua me ministrin e Shtetit për Europën në qeverinë e Angela Merkel, Michael Roth.

https://twitter.com/MiRo_SPD/status/1128218708546076673

Thirrjet kundër dhunës dhe për dialog u përforcuan edhe në këtë takim. “Shumë i shqetësuar nga dhuna në protestat e fundit të opozitës. Një mesazh i qartë drejtuar opozitës: Dhuna është e papranueshme”, shkruan Michael Roth në Twitter.

Edi Rama në Tiranë është vënë në dijeni të deklaratave të CDU/CSU dhe mesazheve në kor të ndërkombëtarëve. Paralajmërimin se kush refuzon apo kushtëzon dialogun rrezikon të izolohet e ka lexuar qartë, ndaj në reagimin e parë përmes rrjeteve sociale pas protestës së mbrëmjes së të hënës, fton Bashën për t’u ulur në tryezë.

“Marshimet për të rrëzuar Qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund. Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë dhe një mesazh për LB: Lëri kapsollat!Autobusin e këtij qershori e humbe, po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do të flasim?”, shkruan ai.

https://twitter.com/ediramaal/status/1128027887368589313

“Kur do të flasim” ishte përsëritja e vazhdueshme e Kryeministrit drejtuar studentëve gjatë protestës së këtyre të fundit, por pasi u plotësoi një pjesë të mirë kërkesave për të cilat të rinjtë dolën në rrugë i ftoi për dialog. Disa herë, Rama nënkuptoi se po tentohej kapja e protestës studentore nga ana e opozitës, ndërsa opozita akuzoi Qeverinë se po tentonte përçarjen e saj. Vetë pjesa më e madhe e studentëve zotoheshin për një protestë jopolitike dhe refuzuan partitë.

Ndryshe nga protesta e studentëve, protesta e opozitës është thelbësisht politike dhe me kushtin maksimal, siç është largimi i Edi Ramës. Deri më tani, Partia Demokratike përjashton një rrugë të mesme, por me ndryshimin e qëndrimit të ndërkombëtarëve, nga deklarata të tipit “problemet tuaja zgjidhni vetë”, në deklarata “dialog ose izolim”, mbetet për t’u parë nëse opozita do të vazhdojë t’i qëndrojë kushtit kryesor të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë