Komisioni Europian do të paraqesë në fund të muajit maj rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn e konfirmoi këtë dhe thotë se nuk e ka humbur shpresën se Këshilli Europian do të vendosë pozitivisht para pushimeve të verës.
Por, kur vjen puna për progresin, Hahn thekson më fort atë të bërë nga Shkupi, ndërsa për Tiranën vlerëson reformën në drejtësi.
“Unë mendoj, sidomos kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, se duhet ta pranojmë përparimin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe, që është parakusht për anëtarësimin në BE. Gjithashtu, reforma e gjyqësorit në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Këto duhet të vlerësohen nga vendet anëtare”, deklaroi Hahn në një intervistë të dhënë për Radio Europa e Lirë.
Megjithatë, Hahn e pranon se sinjali i dhënë që në samitin e Berlinit se negociatat do të shtyhen për në tetor është i fortë. Komisioneri u pyet edhe për shqetësimin e Holandës dhe kërkesën e saj për rikthimin e vizave për shqiptarët.
“Ekzistojnë kontrolle të rregullta të numrit të atyre që ne i quajmë azilkërkues të pafinancuar. Unë mendoj se këto shifra, në krahasim me numrin e përgjithshëm të njerëzve që udhëtojnë në Holandë janë shumë të vogla. Megjithatë, e kam diskutuar edhe me partnerët në Shqipëri dhe disa vende të tjera, që kjo duhet të trajtohet nga autoritetet shqiptare, që njerëzit duhet të informohen mbi rregullat e lëvizjes së lirë”, shton ai.
Megjithatë, Hahn deklaron se deri më tani nuk sheh asnjë lëvizje nga ndonjë vend tjetër anëtar për të rikthyer regjimin e vizave për Shqipërinë.
Edhe ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Ai kërkon hapjen e tyre edhe për të treguar se BE i mban premtimet e dhëna.
“Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona. Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Sigurisht ka ende shumë për të bërë, por jam optimist se, mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, deklaroi ai për Deutsche Welle.
Deklarata bëhet pasi takimit që pati me ministrin e Jashtëm në Detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj. Takimi i ka shërbyer për t’u njohur edhe më në thellësi me krizën politike të Tiranës. Roth qorton dhunën, por thotë se pavarësisht ngjarjeve, mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë mbetet e palëkundur.
“Pavarësisht protestave të dhunshme të opozitës, qeveria gjermane vazhdon ta mbështesë çeljen sa më parë të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë”, konfirmoi për “Deutsche Welle”-n ministri i Shtetit, Michael Roth.
I pyetur nëse protestat do të luajnë ndonjë rol, Roth u përgjigj se kritika është normale në çdo demokraci të gjallë, por dhuna, si mjet i demokracisë apo i politikës është absolutisht e papranueshme.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend, në Shqipëri, dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë”, thotë ai.
Ministri gjerman kërkoi që dhuna të mos shndërrohet në normalitet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.