Kosova

Dialogu me Serbinë, Osmani: Nuk pranojmë ndryshimin e kufijve

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të ketë bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje.

Kjo deklaratë u bë gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, ku Osmani shtoi se Kosova ka qëllime të qarta në dialogun me Beogradin dhe se nuk do të pranojë ndryshimin e kufijve. Osmani tha se kjo fazë e dialogut është një kapitull i ri për Kosovën.

“Nuk e diskutojmë kurrësesi statusin tonë final. Kosova është vend i pavarur. Po ashtu, lëvizjen e kufijve nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Nuk do të pranojmë në Kosovë as modele si ajo e republikës serbe në Bosnjë, sepse ne duam ta mbrojmë Kosovën”, deklaroi Osmani.

“Një çështje e rëndësishme është edhe ajo e personave të zhdukur. Serbia duhet të tregojë se ku janë të zhdukurit”, shtoi presidentja e Kosovës.

Osmani po qëndron për një vizitë dy ditore në Estoni, ku do të pritet edhe nga liderët shtetëror të këtij vendi, përfshirë presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas dhe kryeministren Kaja Kallas. Kosova dhe Serbia pritet që të zhvillohet një takim më 15 qershor në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë