Analize

Dialogu Kosovë-Serbi, SHBA nxjerr jashtë loje BE-në

"Unë do t’ju pres në Shtëpinë e Bardhë për të festuar marrëveshjen historike". Kjo fjali në një nga katër letrat që Presidenti amerikan Donald Trump u ka shkruar presidentëve Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi ishte, sinjali i parë se SHBA-ja do të zëvendësonte BE-në në dialogun Beograd-Prishtinë.

Shumë ekspertë të politikës së jashtme në Ballkanin Perëndimor janë të bindur se tryeza e ardhshme e bisedime Kosovë-Serbi do të udhëhiqet nga SHBA-ja. Ndërkohë, burime nga Uashingtoni bëjnë të ditur për mediat se SHBA-ja e konsideron situatën në Kosovë si shumë të rrezikshme për t’ia lënë në dorë BE-së.

Uashingtoni ka dërguar vazhdimisht mesazhe të qarta në drejtim të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për rikthimin në tryezën e bisedimeve duke u kthyer kështu në ndërmjetësin kryesor mes dy palëve. Për shumë ekspertë, SHBA-ja po e bën të qartë se tanimë është Shtëpia e Bardhë ajo që do tw marrë drejtimin duke zëvendësuar Brukselin, i cili po tregohet gjithnjë e më pasiv në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për shumë analistë, SHBA-ja dëshiron që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda 2019-ës. Dhe duke pasur parasysh problemet e brendshme të unionit, duket qartë se Brukseli nuk ka as fuqi dhe as vullnet për të luajtur rol kryesor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Presidenti Donald Trump

Përgjatë javës së fundit, Kosova është vizituar nga një delegacion i Shtëpisë së Bardhë të cilët kanë zhvilluar takime me pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë. Po ashtu angazhimi i shtuar i SHBA-ve u tregua edhe me emërimin e Filip Riker si Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë.

Riker, një diplomat me përvojë i cili është i vetëdijshëm për situatën në Ballkan, pasi ka shërbyer si Ambasador i SHBA-ve në Shkup dhe zëdhënës i kryediplomatit amerikan që udhëhoqi bisedimet për marrëveshjen e Rambujesë, i bëri thirrje Kosovës të heqë taksën mbi mallrat serbe. Ai i kërkoi po ashtu Beogradit njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ndalimin e lobimit kundër anëtarësimit të Prishtinës në organizatat ndërkombëtare.

Në Prishtinë ka mbërriture sot edhe nënsekretari për çështjet politike, David Hale, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “për të diskutuar mbi mundësinë historike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”. Para tij, dy zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Erath dhe Brad Berkley vizituan Prishtinën duke përsëritur kërkesën për heqjen e taksës dhe rikthimin në dialog.

Për analistin boshnjak, Aleksandar Ivković, është e qartë se pavarësisht pengesave që kanë dalë gjatë bisedimeve prapa kuintave, Uashingtoni po merr masat për t’i rikthyer të dyja palët në negociata, ndoshta i inkurajuar nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve Greqi-Maqedoni . Ndërkohë, heshtja pothuajse e dhimbshme e presidentëve Vuçiç dhe Thaçi mbi gjendjen aktuale të negociatave ka lënë pothuajse të gjithë opinionin publik në errësirë.

Presidentet Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Deri më tani, pas rezolutës së përbashkët të paraqitur nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës janë lehtësuar nga Përfaqësuesit e Lartë të BE-së. Por për pothuajse katër vjet nuk ka pasur ndonjë përparim domethënës, kohë gjatë të cilës Shtetet e Bashkuara kanë qenë joaktive, duke e lënë çështjen e Kosovës, në nivelin më të ulët diplomatik.

"Vetëm pasi zbuloi ndikimin në rritje të Rusisë, e cila shfrytëzonte çdo krizë në rajon për të përhapur influencën e saj, Shtetet e Bashkuara vendosën të angazhoheshin si për dialogun Beograd-Prishtinë ashtu edhe rajonin. Sipas vlerësimeve të Uashingtonit situata është shumë e rrezikshme për t'ua lënë në dorë evropianëve", thotë Bosko Jaksić, gazetar i së përditëshmes serbe “Politika”.

Sipas tij, Bashkimi Europian është goditur me kriza të shumta gjatë dekadës së fundit, duke filluar nga kriza financiare e vitit 2008, kriza greke , kriza në Ukrainë në vitin 2014 dhe kriza e emigrantëve që shkaktoi një rritje të partive populiste të krahut të djathtë. “E gjithë kjo, së bashku me vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t'u larguar nga Bashkimi Europian e ka bërë Brukselin të paaftë të përballojë problemet aktuale të rajonit, sidomos ato që mund të çojnë drejt një konflikti të mundshëm”, thekson Jaksic.

"Së shpejti do të bëhet e qartë se SHBA është më efikase se BE-ja. Në vitin 2017, Uashingtoni njoftoi vendosmërinë e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjen Athinë-Shkup brenda një viti dhe ia dolën", kujton ai.

Presidenti Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi dhe Angela Merkel

Ndërkohë, për të tjerë analistë si Florian Bieber, ndikimi gjithnjë në rritje i Rusisë nuk duhet të shihet si arsyeja e vetme për angazhimin e SHBA-së. Sipas tij, ajo duhet t'i atribuohet edhe dëshirës së Shteteve të Bashkuara të mos e lënë në autostop procesin e anëtarësimit të rajonit në BE dhe dëshirës për të vazhduar me trendin pozitiv të zgjerimit të NATO-s.

"SHBA-ja dëshiron të njohë Kosovën dhe ta vendosë atë në rrugën e shpejtë drejt anëtarësimit në NATO, ashtu si me Maqedoninë e Veriut. Kjo do të krijonte presion mbi udhëheqësit e Serbisë dhe ata të Republikës Srpska për të rishikuar neutralitetin e tyre", shpjegon ai.

Igor Novakoviç, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Sigurisë thotë se sipas sinjaleve dhe deklaratave që vijnë nga zyrtarët e Uashingtonit, koha për një marrëveshje përfundimtare është afër, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimet e tjera rajonale.

Emërimi i John Bolton, ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, në pozitën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare mund të shihet gjithashtu si një faktor i rëndësishëm. Gjatë qëndrimit të tij në Kombet e Bashkuara, Bolton ishte përqendruar tek çështja e Kosovës, edhe pse deklaroi vazhdimisht se ishte kundër shpalljes së pavarësisë. Ai ishte zyrtari i parë i lartë perëndimor që mbështeti propozimin e shkëmbimit të territoreve, të hedhur në tryezë nga Vuçiç dhe Thaçi në gusht të vitit të kaluar.

Angela Merkel dhe Donad Trump

Novakoviç gjithashtu thekson se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili është lideri më me ndikim ne politikwn e Prishtinës, nuk ka gjasa ta kundërshtojë këtë ide, nëse mbështetet nga të dyja palët, pasi kërkon me çdo kusht arritjen e një marrëveshjeje.

"Duket sikur çështja e kufijve nuk është e rëndësishme për Trump, pasi ndoshta ka disa garanci se nuk do të ketë efekt domino për ndryshime të mëtejshme të kufijve në rajon si nw Bosnjë, Maqedoni apo edhe vetë Kosovë. Nëse kjo është e vërtetë apo jo, duhet të shihet " thotë ai.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë treguar gjithashtu gatishmëri për të mbështetur këtë skenar, duke vënë si kusht vetëm që marrëveshja përfundimtare të bazohet në të drejtën ndërkombëtare, të jetë në përputhje me ligjin e BE dhe të jetë e pranueshme për të gjitha shtetet anëtare. Të vetmet që janë kundër janë Britania dhe Gjermania. Kancelarja Angela Merkel shprehet qartë kundër çdo ndryshimi kufijsh në rajon. Megjithatë ekspertët nuk besojnë se ajo do të rrezikonte bllokimin e marrëveshjes së arritur nga Beogradi dhe Prishtina, edhe nëse ishte shkruar sipas "skenarit amerikan".

"Pothuajse çdo gjë është e mundur nëse ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara”, thotë Novakoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë