Politike

Di Maio porosit Ramën dhe Bashën: Përmbajuni paktit për reformën zgjedhore

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio zhvilloi sot një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ministri di Maio, gjatë të dy bisedave telefonike, shprehu vlerësimin e tij për marrëveshjen e arritur deri tani nga forcat politike për reformën zgjedhore si dhe ftoi të dy liderët t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje për miratimin e ligjit në parlament përpara pushimeve verore. “Çështjet që ende duhen diskutuar janë të rëndësishme’, pohoi Ministri, “por po kaq e rëndësishme është ruajtja e një fryme konstruktive si dhe të qenit të hapur për dialog”. Miratimi i një ligji të ri zgjedhor konfirmon faktin se të dy palët mund të punojnë së bashku për arritjen e objektivave të përbashkëta”.

Ministri Di Maio, gjatë bisedës me kryeministrin shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë për të vijuar me procesin e reformave. “Reformat duhet të jenë të përbashkëta dhe të kenë jetëgjatësi parë dhe nën këndvështrimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ai. Për Italinë mbetet një çështje kyçe puna për reformën në drejtësi, e cila duhet të realizohet plotësisht sa më shpejt. Realizimi i plotë i saj brenda një kohe të shkurtër është me rëndësi edhe për përmirësimin pasi do të ketë një impakt edhe në klimën e biznesit në Shqipëri.

Ministri e përgëzoi gjithashtu edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian “çka dëshmon për seriozitetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare në rrugën e përafrimit drejt Evropës. Italia i ofron Shqipërisë mbështetjen e saj të plotë në rrugëtimin e saj drejt BE-së”.

Ministri di Maio propozoi aktivizimin sa më të shpejtë të Komisionit ekonomik të përbashkët Itali – Shqipëri, kuadër i cili mund të mundësojë dhënien e shtysës së duhur për rritjen e investimeve mes dy vendeve si dhe marrjen në konsideratë e më tej zgjidhjen e nevojave të sipërmarrësve italianë.

Gjatë bisedës me kreun e opozitës, ministri italian shprehu sërish vlerësimin për përparimet në arritjen e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket reformës zgjedhore, duke shpresuar në ruajtjen e një fryme bashkëpunuese për vijueshmërinë me axhendën e reformave. “Realizimi i objektivave të përbashkëta në të mirën e Shqipërisë duhet të përqafohet nga të gjitha forcat politike pavarësisht dallimeve mes tyre”- u shpreh ministri. Kreu i Farnesina-s theksoi në fund edhe rëndësinë e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian duke inkurajuar liderin e Partisë Demokratike, Basha, që ky i fundit të punojë në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të rëndësishëm për procesin e integrimit shqiptar në BE.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë