Komunitet

Dhuro flokë, fal shpresë

“Këtë gjë e bëj për gjyshen time,” thotë Etri, një zonjushë e vogël, vetëm 12 vjeç e cila qëndron e ulur në Renë e madhe që ndodhet përballë Galerisë Kombëtare të Arteve.

Kur e pyeta se përse kjo nismë ishte e rëndësishme për të, së bashku me mamanë e saj ajo më tregon se qëllimi ishte të ndihmonte gratë të cilat luftojnë me kancerin e gjirit. Me sytë e pafajshëm dhe të mbushur me lot, vogëlushja i tregoi Gazetës “Si” se gjyshja e saj kishte humbur jetën si pasojë e kancerit të gjirit.

“Do ta kujtoj, duke bërë diçka që nuk munda ta bëja për të, por kam mundësi ta bëj për dikë që sot përjeton atë që nëna ka përjetuar”, tregon Etri.

E veçanta e kësaj vogëlusheje është pikërisht kjo; ajo di kaq shumë për kancerin e gjirit sa nuk dinë edhe të rriturit shpeshherë. Ajo thotë se ka mësuar të mos e neglizhojë këtë sëmundje dhe se është e vetëdijshme se dhurimi i flokëve të saj do të lumturojë një të prekur nga kanceri. 

“Jam e lumtur që e kujtoj gjyshen në këtë mënyrë dhe jam e sigurt se do të vazhdoj të dhuroj flokët për aq kohë sa vetëm kështu mund të ndihmoj dikë që vuan nga kanceri”, tregon Etri që prek flokët dhe buzëqesh, pa e vrarë mendjen se tani i ka shumë të shkurta dhe nuk do të mund t'i kapë më si bashkëmoshataret e veta.

Etri ndodhej te “Reja” për fushatën “Dhuro flokë, fal shpresë”, e cila është një fushatë që ka nisur që në 2016 kur Donjeta Zeqa, presidentja e saj vendosi të dhurojë flokët si akt simbolik për mamanë e saj dhe 6 anëtare të tjera të familjes së saj të cilat janë të mbijetuara të kancerit të gjirit.

Donjeta Zeqa me Arvi Lazaj, një nga vajzat që dhuroi sot flokë për herë të parë.

“Gjithçka nisi si një dëshirë e imja që unë kam pasur që kur mamaja ime u diagnostikua me kancer”, tregon Donjeta. Dëshira e saj nuk u realizua sepse nuk arriti të gjente një vend ku mund të dhuronte flokë për këtë motiv; kështu që vendosi të niste vetë diçka dhe për të gjithë ata që ishin gjendur në situatën e saj. Ka nisur si diçka e vogël dhe ajo është e lumtur që sot ka një interesim shumë të madh nga njerëzit për të ditur më shumë rreth fushatës së saj dhe për të dhuruar flokë.

Flokët që mblidhen në fushatën që zgjat gjatë gjithë vitit dhe kulmon në muajin tetor përpunohen në formën e parukeve dhe dhurohen për vajzat dhe gratë që po luftojnë me kancerin e gjirit. Sigurisht që ka një kosto dhe, siç Donjeta i tregon Gazetës “Si”, është e pamundur të mbulohet nga pjesëtarët e fushatës por ndihmohen shumë nga biznese të ndryshme që dhurojnë fonde dhe mbështetje. Fushata e saj kalon përtej mundësive të tyre pasi Donjeta na tregon se ato normalisht nuk mund të përballojnë të gjitha nevojat pasi këtë vit mblodhën flokë nga 40 vajza dhe kërkesa është më e lartë por mundohen në çdo mënyrë të sigurojnë paruke për këdo që drejtohet tek to. Me flokët e 40 vajzave ato arrijnë të bëjnë paruke për 20 gra e vajza.

Flokët që u dhuruan sot, 21 tetor, 2020. Gazeta "Si"

“Kërkesat janë të shumta por ne jemi të lumtur që numri i dhuruesve është në rritje. Gjithashtu vlen të përmend se ndryshe nga çfarë, mendonim, pandemia nuk ndikoi edhe kishte vajza që donin të gjenin mundësinë të dhuronin flokë edhe gjatë izolimit”, tregon Donjeta.

Ajo dhe grupi i saj kanë ndihmën e shumë femrave grave të forta dhe bashkë arrijnë të çojnë buzëqeshje në disa gra të tjera që jeta fatkeqësisht i ka bërë akoma edhe më të forta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë