Kombetarja

Dhuratë nga Norvegjia, Shqipëria mbetet në Ligën C

Shqipëria nuk do të bjerë në Ligën D. Një lajm i mirë për kuqezinjtë dhe trajnerin Kristian Panuçi, më saktë një dhuratë e këndshme për ta nga Norvegjia, skuadra që na mundi 0-1 në një miqësore të pak kohëve më parë. Skuadra skandinave na ka bërë një nder me fitoren 0-2 në fushën e Qipros, pasi e lë këtë të fundit poshtë Shqipërisë në renditjen e skuadrave të vendeve të treta më të dobëta në Ligën C.

Qipriotët janë më keq se Shqipëria dhe kështu do të bien atë një ligë më poshtë, pra në Ligën D. Në katër grupet e Ligës C, tri skuadrat që do të zinin vendin e katërt, pra të fundit, do të binin një ligë më poshtë. Rregullorja e aktivitetit thotë që skuadra e katërt që do të binte nga këto katër grupe, meqenëse grupi i Shqipërisë është me tri skuadra, do të ishte e treta më e dobët. Në këtë klasifikim, skuadrave u hiqet rezultati i ndeshjeve me atë kundërshtar që mbyll grupin. Shqipëria ishte mjaft e rrezikuar për të qenë e treta më e keqe.

Kombëtarja në stërvitje

Në garë me kuqezinjtë ishin Qipro dhe Mali i Zi, por ankthi i tyre ka përfunduar dhe për këtë ka menduar Norvegjia. Qipro është mundur 0-2 në fushën e saj nga nordikët dhe Shqipëria qëndron përfundimisht mbi qipriotët në renditjen e të tretave më të dobëta. Kjo renditje kryesohet nga Greqia, që ka 6 pikë, më pas vjen Shqipëria me 3 pikë dhe mbyllet nga Mali i Zi dhe Qipro me nga një pikë. Kuqezinjtë i kanë shpëtuar për mrekulli rënies, jo për meritë të tyre, ndërkohë që në Ligën C, me shumë mundësi, do të jetë edhe Kosova.

Renditja e skuadrave të vendeve të treta në Ligën C

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë