Futboll

Dhunuan fotografin e Flamurtarit, policia procedon 4 tifozët e Partizanit

Pas dënimit që dha Komisioni i Disiplinës dhe denoncimit të FSHF-së për dhunimin e fotografit vlonjat në ndeshjen Partizani-Flamurtari, ka ardhur reagimi edhe nga ana e Policisë së Shtetit. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, uniformat blu të Tiranës bëjnë me dije se janë identifikuar dhe proceduar penalisht shtetasit, që ushtruan dhunë fizike ndaj fotografit të ekipit të “Flamurtari”.

Sipas njoftimit të policisë janë identifikuar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë, shtetasit me inicialet: l. Xh., 31 vjeç, G. Ll., 31 vjeç, K. B., 19 vjeç, I. H., 28 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Mbi këta katër tifozë të Partizanit rëndojnë akuzat për konsumimin e veprave penale të “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindje e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Dëmtime të tjera me dashje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 274, 242 dhe 90/25 të Kodit Penal.

Incidenti në ndeshjen Partizani-Flamurtari e vlefshme për javën e 23-të Superligës ndodhi në fundin e pjesës së parë. Pas golit të barazimit të shënuar nga Andi Ribaj, në momentin kur futbollistët vlonjat ishin duke pozuar për foton e tyre tradicionale, tifozët e kanë marrë për provokim dhe kanë hyrë në fushë duke u konfliktuar me fotografin dhe me disa futbollistë të ekipit vlonjat. Partizani, nga ana tjetër ditën e djeshme u dënua nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF me dy ndeshje në shtëpi pa tifozë. “Të kuqtë” përmes drejtorit Olsi Rama gjatë ditës së djeshme deklaruan se nuk kanë në plan që ndeshjen e dytë të pezullimit ta konvertojnë në gjobë, si një mesazh për tifozët që të mos i përsërisin më aktet e tilla në shkallët e stadiumeve shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë