Ekskluzive

Dhunon dhëndërrin se i rrahu vajzën: Unë nuk mund të duroj t’ma prekin fëmijën!

Një burrë nga Tirana i ka dhënë një mësim shumë të fortë dhëndërrit të tij, i cili për t’u siguruar se nuk do të dhunohej më kërkoi ndihmën e policisë dhe urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje prej tij.

Sipas burimeve policore të gazetës Si, 29 vjecari E. B është i martuar dhe u paraqit në polici me një ankesë të veçantë; që policia të ndërhynte dhe të distanconte vjehrrin prej tij pasi ku i fundit e kishte rrahur.

Burimet i thanë gazetës Si historinë e rrallë që vuri përballë të dy burrat, nga njëra anë dhëndërrin e ri dhe nga ana tjetër të moshuarin me inicialet I.L., i moshës 63 vjeç. I denoncuari ishte i qetë, i tha një agjent policie gazetës Si, i cili tregoi detaje mbi kallëzimin dhe ballafaqimin e kryer në Drejtorinë e Tiranës.

“Me gruan kam marrëdhënie shumë të mira”, nisi prezantimin në polici 29-vjeçari, që tregoi se nga kjo lidhje kanë sjellë në jetë dy fëmijë. “Ai e përshkroi vjehrrin si një njeri ekstremisht të dhunshëm”, tha policia për gazetën Si duke thënë në krye të herës se kërkonte ndihmë pasi kishte një vjehërr jashtë kontrollit.

Ai tha për të moshuarin: “Ka qenë gjatë gjithë jetës problematik, i dhunshëm. Ai dhunoi gruan e tij dhe ajo vdiq nga tromboza kam dëgjuar. Ka dhunuar vajzën e tij kur ishte e vogël dhe njëherë siç kam dëgjuar i ka thyer duart. Gruas sime që kur i ati mbeti i ve më kërkoi ta marr në shtëpi dhe të kujdeset për të. Pranova për hatër të kujdesit ndaj gruas”.
Pa asnjë rezervë i riu ka ndërtuar profilin e vjehrrit si një njeri të varur nga alkooli dhe që grindej në lagje. “Ai zuri të një dashur dhe mori kredi dhe kredinë e hodhi para për të dashurën. Ai vjen i pirë dhe një ditë më kërcënoi duke më thënë nuk pyes për polici. Ndaj kërkoj prej policisë urdhër mbrojtjeje të menjëhershme nga vjehrri dhe të distancohet nga jeta ime”.

Me bindjen se përballë kishin një të moshuar të alkoolizuar, policia ka thërritur me urgjencë vjehrrin, që në të vërtetë nuk ishte ashtu si e përshkruante dhëndërri.

“Jam ky që më shikoni dhe jam një gjysh i mirë dhe baba i mirë dhe kam një vajzë që më do dhe nuk më la të jetoj vetëm pasi gruaja ime, nëna e saj ndërrroi jetë si pasojë e një sëmundjeje. Ju mund të pyesni se kush jam unë, në mos në polici ku kam punuar dhe e dinë se sa i përkushtuar jam dhe që nuk kam vese, por edhe më pas kur nisa aktivitetin privat. Jam i habitur nga denoncimi i dhëndërrit që e kam si djalin tim dhe dua vetëm lumturinë e të dyve”, u mbrojt në polici i moshuari, sipas burimeve shumë të sigurta të gazetës Si.

Ai ka shtuar përpara agjentëve: Unë për vajzën lë kokën. Dyshoj se ndërhyrjen nga të tretët kanë ndikuar që dhëndërri të stresohet prej meje, meqënëse kurrë s’kam vënë dorë mbi vajzën time, nuk mund të pranoj që dhëndërri ta pranojë dhe ky veprim i tij vjen pikërisht për këtë gjë, sepse unë kërkoj marrëdhënie të rregullt dhe korrektesë të dhëndërrit me vajzën, që ai mos të ngrejë as zërin ndaj saj dhe as të vërë dorë, se e kam rritur pa një pëllëmbë”, ka vijuar më tej i moshuari.

Por, i bindur se ky denoncim në fakt nuk lidhet vetëm me frikën e dhëndërrit, të cilin i moshuari e ka qëlluar me shuplaka pasi ka vërejtur një situatë dhune midis dhëndërrit dhe të bijës, 63-vjeçari thotë më tej sipas burimeve: “Jam i sigurt që ai nuk më do nëpër shtëpi dhe mjafton të ma kërkonte. E kuptoj. I ndikuar nga të tretët një baba në shtëpinë e tij është shumë. Por, kam kërkuar rregull në atë shtëpi asgjë më shumë”.

Policia bën me dije për gazetën Si se pasi ka administruar këtë dëshmi dhe ka marrë edhe dëshmitë e disa banorëve që e përshkruajnë si një person korrekt dhe të angazhuar në punën private që i moshuari ushtron tanimë e ka rithirrur të riun. Pyetja e policisë në këtë rast ishte: A kishit ju dëshmitar kur vjehrri ju rrahu?

Ai u përgjigj që ishte nusja e tij, por ka shtuar: “Jam penduar! Ndoshta u nxitova. Ishte një reagim i pamenduar. Vjehrri im është një baba i përkushtuar dhe një gjysh i denjë. Nuk ndihem më i kërcënuar. Ai ka ndryshuar sjellje me mua dhe unë me të”.

Por, pavarësisht kësaj dëshmie, policia thotë se konfirmoi urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes me afat deri në fund të muajit korrik në të cilin të moshuarit i kërkohet të mos kontaktojë me dhëndërrin, as mos ta ngacmojë dhe as mos të flasë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi me të.

Të moshuarit, sipas policisë pas këtij momenti i është kërkuar të dalë nga banesa e dhëndërrit, pas dëshmisë së gruas së tij që tha se i shoqi nuk e kishte rrahur asnjëherë dhe se kishte një raport të shkëlqyeshëm me të. Vjehrri në këtë rast, bën me dije policia për gazetën Si, duhet të qëndrojë 100 metra larg dhëndërri, kurse zhvendosja e sendeve personale të tij është kryer nën mbikëqyrjen e policisë së komisariatit numër 6 në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë