Nga Gazeta ‘Si’- Një përplasje që nisi në një kafene në qendër të Skënderajt po trazon politikën e së enjtes në Kosovë.
Në qendër të incidentit është Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skënderaj dhe zëvendësministër i Financave, i cili pretendon se është sulmuar fizikisht nga Lushtaku dhe shoqëruesit e tij në kafenenë “Solo”.
“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku(kryetari i komunës së Skënderajt) dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje ”, shkroi Mehani në rrjete sociale.
Pak më vonë reagoi edhe Vetëvendosje, e cila publikoi foton e Mehanit ku ai duket i përgjakur dhe e përshkroi ngjarjen si “sulm brutal”. Sipas versionit të partisë, Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të VV-së kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë.
VV-ja pretendon se gjatë përplasjes është sulmuar edhe sekretari i degës në Skënderaj, Bahri Zabeli, i cili kishte tentuar të ndërhynte për të shmangur eskalimin.
“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik banditesk tregon qartë pse këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucioneve publike”, deklaroi partia, duke kërkuar reagim urgjent nga drejtësia dhe distancim të PDK-së.
Por krejt ndryshe e paraqet ngjarjen Sami Lushtaku. Ai pretendon se objektiv i provokimit ishte ai dhe akuzon drejtpërdrejt pushtetin e Albin Kurtit.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skënderaj”, shkroi Lushtaku.
Ai reagoi edhe ndaj etiketimeve politike që, sipas tij, po përdoren prej kohësh ndaj tij.
“E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, deklaroi ai.
Në rrjet janë publikuar video të ndryshme që pretendojnë të kenë filmuar konfliktin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje