Ngjarje

Dhunohen 3 të rinj shqiptarë në Mal të Zi nga 7 persona me veshje ushtarake. Dinamika e sulmit (pa shkak). Reagon kryeministri malazez

Gazeta Si - Tre të rinj shqiptarë që ishin nisur për në Gjermani me makinë janë dhunuar brutalisht pa asnjë shkak sapo kanë zbritur nga trageti në Kotorr, të Malit të Zi.

Lajmi u denoncua përmes rrjeteve sociale nga familjarët e tyre, të cilët pretendojnë se ata u dhunuan nga 6-7 persona të veshur me uniforma ushtarake.

Në një njoftim mbi këtë rast, Policia e Shtetit thekson se të dhunuarit janë: Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci, ndërsa kryeministri malazez Milojko Spajiç, në një reagim qeveritar thotë se një nga personat e dyshuar është identifikuar nga policia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit të Hercegnovit, ku të rinjtë janë ‘masakruar’ me grushte e shkelma nga këta persona ende të paidentifikuar.

Grupi i shqiptarëve është ngacmuar pa asnjë shkak nga personat e paidentifikuar, duke i goditur fillimisht makinën dhe pas daljes se dy shtetasve shqiptarë nga mjeti, ata janë sulmuar fizikisht duke mbetur të plagosur në pjesë të ndryshme të trupit.

Shqiptarët nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë me personat që i kanë nxjerrë me dhunë nga makina dhe i kanë dhunuar, prandaj nuk dihet kombësia.

Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.

Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Pas ngjarjes, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, thotë se ngjarja ku tre të rinj nga Shqipëria u dhunuan barbarisht po hetohet me intensitet. Një autor siç njofton ai është identifikuar.

"Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t'i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë