Ngjarje

Dhuna ndaj 3 të rinjve, ambasada shqiptare në Malin e Zi: I kemi marrë në mbrojtje

Gazeta Si - Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi, në një reagim mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të shtunë në Herceg Nov, ku 3 të rinj shqiptarë u dhunuan nga 7 persona, bën me dije se që në momentin e parë që është informuar në lidhje me rastin, ka marrë në mbrojtje të rinjtë e dhunuar dhe po u ofron çdo shërbim të nevojshëm.

"Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi. Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor, - thuhet në një postim në rrjetet sociale. - Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve. Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze", njofton ambasada.

Në lidhje me ngjarjen, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kontaktuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi dhe ka kërkuar informacion lidhur me këtë ngjarje të ndodhur Herceg Novi.

Të rinjtë shqiptarë kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane kur papritur janë sulmuar fizikisht nga një grup personash të veshur me uniforma ushtarake.

Autoritetet malazeze në bashkëpunim me të vendit tonë po punojnë për zbardhjen në detaje të rastit dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Deri më tani janë shoqëruar në polici 3 persona të dyshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë