Drejtësia

Arrestohet edukatorja, dhunoi dhe i theu këmbën 3-vjeçares në kopshtin privat

Nga Gazeta 'Si'-Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës arrest me burg të edukatores që u shfaq duke dhunuar një 3-vjeçare në një kopësht privat, e cila më pas përfundoi me këmbë të thyer në spital.

Kjo masë u kërkua pas marrjes në dorëzim të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

Masa arrest në burg, për shtetasen me iniciale Majlinda Dehima kërkohet për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit."

Si pasojë e dhunës fëmija pësoi frakturë në pjesën e këmbës. Ishin pamjet e sigurisë dhe raporti mjekoligjor që hodhën dritë lidhur me këtë ngjarje, duke vërtetuar edhe dhunën e ushtruar nga edukatorja.

Kujtojmë se më herët në lidhje me këtë ngjarje u pezulluan 3 punonjës policie.

Për këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit, e cila thotë se kopshti në fjalë vepronte në kushtet e paligjshmërisë, pasi ishte pa licencë.

Më herët gjatë së enjtes Instituti i Mjekësisë Ligjore deklaroi se vendimi për kryerjen e ekspertizës së 3-vjeçares të dhunuar në kopshtin privat “Stinët”, u ka shkuar më datën 7 nëntor. Pas përfundimit të aktit të ekspertimit, rezultatet janë nisur në dje në Prokurori.

“Në lidhje me ngjarjen e fëmijës 3 vjeçe që është dëmtuar në një kopësht privat ju bëj me dije se, vendimi për kryerjen e ekspertimit për fëmijën e sipërpërmendur ka ardhur në 07.11.2023, në IML ( rreth orës 13.30) dhe menjëherë kemi ndërmarrë veprimet për kryerjen e aktin të ekspertimit. Dje, në datë 08.11.2023, akti i ekspertimit i fëmijës u krye dhe u nis po dje, për në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, - thotë Instituti, ndërkohë që më herët u raportua se mjeku ligjor nuk kishte shkuar për të bërë ekspertizën e gjendjes së vajzës.

Në pamjet që janë publikuar nga ambientet e brendshme të kopshtit, duket edukatorja Majlindja Dehima, e cila qëllon me vizore dhe me shpulla 3-vjeçaren.

Emisioni investigativ ‘STOP’, publikoi pamjet nga dhoma e gjumit, të 1 nëntorit, ditë kur fëmija ka përfunduar në spitalin e Tarumës me këmbë të thyer.

Në materialin filmik dëgjohet të sharat e edukatores ndaj të miturës, më pas një kërcitje që mendohet se është zhurma e thyerjes së kockës dhe më pas të qarat e vajzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë