Drejtësia

Dhuna nga fisi Rraja, Prokuroria e Tiranës kërkon riekspertim mjeko-ligjor për kushërinjtë Maja

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës, ka kërkuar riekspertimin mjeko-ligjor të dëmtimeve në kokë dhe trup ndaj dy kushërinjve të plagosur nga anëtarë të fisit Rraja për ankesën e zhurmës së guroreve në Krujë.

Vendimi për kryerjen e një ekspertimi të dytë është marrë këtë të mërkurë, ku prokuroria shpreson të mbajë në këmbë çështjen penale kundër 9 anëtarëve të fisit Rraja.

Një ditë më parë, mjeku ligjor Elton Serani në ekspertizë e cilësoi si “plagosje të lehtë” dhunën ndaj Bilbil e Jashar Majës, duke zhvlerësuar akuzën e dëmtimeve që konsiderohen të rënda.

Edhe pse në një akt ekspertimi cili mban datën 24 korrik, disa javë pas ngjarjes, konstatohet që dy të dëmtuarit kanë marrë lëndime, deri në thyerje të kockave, në kriterin mjekësor të parashikuar në ligj, ato klasifikohen në plagosje e lehtë.

Kjo vepër penale parashikon dënimin me gjobë deri në 2 vjet burg. Prokuroria e Tiranës ka thënë se është urdhëruar kryerja e riekspertimit me 3 mjekë.

Ndryshimi i kualifikimit të veprës penale, u bë pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko ligjore ndaj dy kushërinjve.

Por përveç lehtësimit të pozitës penale, kërkohet ankim nga të dëmtuarit për vijimin e hetimit.

Kushërinjtë Maja kundërshtuan aktin mjeko-ligjor dhe kanë deklaruar se do të bëjnë kallëzim ndaj ekspertëve, por theksuan se kanë hequr dorë nga ankimi për Rrajat.

Më herët, prokuroria zbuti akuzën ndaj 9 personave të arrestuar dhe shpallur në kërkim për këtë rast që tronditi opinionin publik.

Për ngjarjen u arrestuan dhe u lanë në burg Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj, si dhe janë ende në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.

Përsa i përket armës që mban në dorë njëri prej anëtarëve të fisit Rraja, prokuroria thotë se nuk mund të ngrejë akuzë pa u arrestuar mbajtësi i saj dhe pa u gjetur arma.

Incidenti i rëndë mes fisit Rraja dhe dy kushërinjve Maja, erdhi pas një zinxhiri përplasjesh për një gurore në fshatin Borizanë.

Si pasojë e shpërthimeve me tritol në gurore, disa prej anëtarëve të familjes Maja, iu ishin dëmtuar banesat, ç'ka solli ngritjen e tyre në protestë, duke bllokuar rrugën ku kalonin kamionët e gurores.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë