Ekonomi

Dhoma Amerikane: Paketa AntiCovid të jetë sa 15% e PBB-së, të mbështeten bizneset

Enio Jaço , President i Dhomës Amerikane të Tregtisë mendon se Paketa e Shpëtimit Ekonomik e qeverisë shqiptare është e pamjaftueshme. Prandaj, sugjeron ai, shumë shpejt do të kalohet në faza të tjera sepse që ndihma të funksionojë në këtë situatë dhe ekonomia të mos groposet, duhet të që ndihma të jetë në masën e 10-15 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas tij, mbështetja duhet të vijë sidomos për bizneset që mbajnë në punë mbi 90% të punonjësve, të cilët garantojnë vazhdimësinë e aktivitetit.

Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë









“Anëtarët e Dhomës Amerikane janë të shqetësuar. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, në rradhë të parë për të kuptuar shetësimet specifike që çdo anëtar ka. Por gjithashtu për të kuptuar shqetësimet që çdo sektor ka, sepse janë të ndryshme nga një sektor në tjetrin. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar në mënyrë aktive për të ndërtuar propozimet e duhura. Kemi bërë disa propozime, dhe po përgatisim edhe të tjera për t’i komunikuar me Qeverinë dhe për të menaxhuar këtë krizë në mënyrën më të mirë të mundshme. “- shprehet Z. Jaço.

Ai thotë se Dhoma Amerikane është e ndërgjegjshme që në këtë moment të gjithë së bashku kemi tre objektiva kryesore; “Në rradhë të parë, të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish. Duket sikur kjo pjesë e problemit po shkon aq mirë sa kemi mundësi të shkojë. Kemi një kurbë të ulët të infeksioneve. Është gjithashtu e rëndësishme të menaxhojmë sistemin shëndetësor, që të mos mbingarkohet e të mos kemi një krizë humanitare.  Por shumë e rëndësishme për ne, gjë për të cilën po punojmë shumë në mënyrë aktive, është që në rrugë e sipër të mos shkatërrohet ekonomia. Këto janë objektivat kryesore për të cilat ne po punojmë ngushtë edhe me anëtarët tanë.”

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, hapi i parë i ndihmës qeveritare duhet të jetë shtyrja e pagesave tatimore, siç është aplikuar në shumicën e vendeve.

Mandej duhet eleminuar taksa për disa sektorë të caktuar, ata që janë më të  prekurit dhe më në nevojë. Dhe ajo që është shumë më e rëndëisshme për Dhomën Amerikane, është krijimi i një fondi emergjence në mënyrë të tillë që bizneset që janë të prekur, të kenë akses në kapital dhe të përballojnë pagat e punonjësve dhe vazhdimësinë operacionale gjatë një periudhe të caktuar.

“Ne kemi propozuar që kjo të aplikohet për ato biznese që ruajnë 90% të punonjësve të tyre, pra që ruajnë vazhdimësinë”- thotë Jaço.

Sipas tij, masat duhet të targetojnë dy elemente të rëndësishme.  Zbutjen e pasojës, pasi bizneset kanë goditje të madhe gjatë kësaj periudhe. Dhe duhet të sigurojmë një vazhdimësi likuiditeti për bizneset ne mënyrë që ata të vazhdojnë me detyrimet e tyre, por gjithashtu edhe te ruajnë punonjësit e tyre.

Prandaj për Dhomën Amerikane të Tregtisë, paketa e propozuar deri tani nga qeveria shqiptare është e pamjaftueshme.

“Masa e artë që ekonomistët rekomandojnë për situatën e koronavirus është 10-15% e PBB. Pra një masë stimuluese që arrin nga 10-15% e PBB. Këtë kanë bërë edhe disa nga vendet me paketën fiskale më të mirë. Kjo ka ndodhur në Britanitë Madhe dhe Francë. Por edhe paketa fiskale prej 2.2 trilion dollarësh në Amerikë është shumë e mirë dhe përfaqëson 10% të PPB.

"Me llogaritë tona, paketa stimuluese që Qeveria ka propozuar është rreth 2.5% e PPB. Ne mendojmë që është e pamjaftueshme.”- shpjegon Jaço duke sqaruar se është i bindur që do shkohet tek faza B, C, D dhe kjo është e kuptueshme sespe është diçka që do rritet në vijim.

“Ajo që ka funksionuar mirë në Amerikë – arsye pse kanë reaguar edhe tregjet e aksioneve dhe ekspertët por gjithashtu edhe ekonomia ka filluar të ketë shenja të mira – është sepse kjo paketë është e qënësishme, pra e madhe, por edhe është e detajuar. Ka një legjislacion që i përshtatet pothuajse të gjithë sektorëve.  Krijon mundësinë dhe jep udhëzimet e duhura për bizneset për të aplikuar. Dhe ajo që është më e rëndëishme, është që ofron një fond te mjaftueshëm likuiditeti pothuajse për çdo biznes. Ofron një fond për bizneset e vogla dhe gjithashtu një për bizneset e mëdhaja. Kjo është në formë kredie e butë.”- thotë ai.   

Për Jaçon është shumë e rëndësishme që bizneset në këtë periudhë të funksionojnë dhe të kenë akses në kapital, në mënyrë që nëse kjo situatë vazhdon për dy ose tre muaj të jenë në gjendje të bëjnë pagesa për punonjësit e tyre, në mnyrë që kjo të mos kthehet në rrezik social.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë