Libra

Deti intim i Fatos Arapit

Fatos Arapi, poeti i ndarë nga jeta më 10 tetor 2018. Foto:Qerim Vrioni, 2004

Dr. Silvana Leka –Të gjitha qytetërimet – shfaqur herë përmes kulturës dhe herë përmes sistemeve politike – janë vendosur ose pranë detit ose kanë qenë në kërkim të tij. Do ishte e mjaftueshme rikujtesa e vargut të De Radës dhe pyetjen e tij retorike: “Përse të venë në det, mendimet, o zemra ime…?”, që të mendojmë se me “qytetërime ujore” duhet të nënkuptojmë kryesisht dhe më së pari “qytetërimet detare” dhe prej këtej vetë ekzistencën e detit.

Askush nuk mund të thotë saktësisht se ku fillon dhe ku mbaron deti fizik. Por veç detit gjeografik përvojat dhe praktikat kanë sjellë përpara nesh edhe detin kulturor, detin ekzistencial, detin historik apo edhe det metafizik, të cilin mund ta përkufizojmë, madje t’ia gjurmojnë zanafillat, duke dashur t’i përgjigjemi pyetjes “kur shfaqet së pari deti në relievin e poezisë shqipe” dhe cilët janë disa nga mjeshtrit e kësaj tematike të gjerë e të larmishme. Një prej mjeshtrave më të spikatur është poeti Fatos Arapi.

Nëse në dimensionin e detit historik tërheq veçanërisht vëmendjen prurja e poetëve arbëreshë dhe më pas edhe poetëve nga Kosova, vërehet se praninë më të gjerë në poezinë shqipe kushtuar detit e zë deti kulturor – deti si kulturë, kulturat detare dhe elementët përbërës të tyre. Fillesat e formave të shfaqjes poetike të detit kulturor, i cili në shumicën e rasteve bëhet i pranishëm duke u ndërthurur si peizazh me detin historik, i gjejmë që në këngët popullore (Po këndon bilbili në majë të ullirit) për të kaluar te poezia e Fatos Arapit, mes te cilave peizazhi bregdetar ndërthuret me  aspektin historik si në vargjet “….. dhe ne, ullinj të gjelbër, në brigjet e detit të gjaktë të jetës.” Apo “asgjë s’i trishton ullinjtë më shumë se udhët e luftës”.

Deti në poezinë e Fatos Arapit, me gjithë përmendjet e tij si kujtesë historike apo mitologjike, fiton dimensionin e veçantë të detit intim dhe krejt vetjak, që lind dhe jeton përmes unit të poetit dhe marrëdhënieve të personalizuara me të. Ai mbetet det i kujtimeve, i fëmijërisë, i dëshirave të shprehura dhe të pashprehura për t’u rikthyer tek deti, në det, sjellë në kuptimet e tij të drejtpërdrejta dhe në përfaqësimet metonimike.

Deti në poezinë e këtij autori vjen shpesh përmes personifikimesh, por si vlerë e qëndrueshme tek ky poet gjejmë përjetimin vetjak dhe jo të ndërmjetësuar. Për Fatos Arapin është marrëdhënia “unë dhe deti” më shpesh shfaqet si “deti dhe unë”.  Është një marrëdhënie jo formale, shumë komplekse e njeriut që kërkon detin dhe e detit që bën të njëjtën gjë, niset nga larg, me përfytyrime kuajsh të bardhë që ngrihen në kope të çuditshme, jelesh, aradhesh, trokthesh, që turren për të njohur njeriun, për t’u takuar në të njëjtin breg.

Është një marrëdhënie drejt njëri tjetrit, në kërkim të njëri-tjetrit, një marrëdhënie që edhe pse shfaqet si kundërvënia tipike e të madhit ndaj të voglit, nuk është e tillë. Përkundrazi, ajo është e brishtë, kureshtare, e pambrojtur, delikate, rrëfimtare: I vogël, me pantallona të shkurtra, / me  / këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja… / Ashtu, darkë për darkë dilja në breg. / Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra. Është një marrëdhënie që niste me vrull dhe Kur ja, me potere / si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia. Kjo marrëdhënie me bazë mahnitjen dhe tërheqjen nga e mahnitshmja është e dëshmuar tek Fatos Arapi që në librat e parë.

Të tillë e gjejmë, ndonëse kjo krejtësisht të formuar, detin në poezinë e Fatos Arapit. Ky det është i pranishëm si krijesë e gjallë, grishëse, i përmendur intimisht në atë kohë kur dimensioni lirik në poezinë shqipe ishte thuajse po aq i munguar sa edhe vetë poezia mbi detin. Deti metaforik i poezisë së Fatos Arapit, ky shënjues, por një det ende magmë, endet i paqetë mes peizazheve detare, mes pishave të Llogorasë, mes ullinjve të kodrave të Vlorës, siç gjendet në krijimtarinë poetike të Fatos Arapit të vitit 1962.

Ndërkohë, poezitë e mëvonshme sjellin veçanti të tjera kundrejt temës së detit. Në këto krijime deti shfaqet plotësisht, merr përmasat e një bote, sidomos në poezitë e krijuara mes viteve 1966  – 1968. Të tilla janë  poezitë U krodha në ujërat e Jonit, Çast buzë detit, Deti, Në Zvërnec etj., të cilat ofrojnë një fjalor me prirje metaforike më të zgjeruar, si për shembull: ritme të kaltra, figura të gjelbra që çelin si gjethet nëpër portokalle, degëza vargjesh që fëshfërijnë mbrëmjeve si fletëzat e ullinjve, erëra të Jonit, kokrriza jodi, mirazhe valësh, gurë, drita, ngjyra, djegie perëndimesh nëpër muzg, silueta qiparisash nëpër sfondet të murrmë ullinjsh. Ky është çasti kur poeti Fatos Arapi e identifikon krijimtarinë e vet me detin dhe botën e tij me botën detare, sidomos në poezinë meditative dhe në atë të peizazhit: Kudo që shkoj / jam një copëz peizazhi nga vendi im.

Përmbledhje poetike të Fatos Arapit

Teksa shtjellohet prania e detit intim dhe lirik në poezinë e Fatos Arapit, nuk mund të lihet jashtë vëzhgimit edhe një tipar tjetër që vërehet në poezinë e tij: është fjala për praninë e detit si kujtesë e ngulitur historike, siç vërehet te poema “Pirrua”. Ky det i kujtesës historike vendoset në mote të largët, ardhur prej kohës që do të rinisë lundrimin e saj, si për të plotësuar historinë e dokumentit me poetikë dhe përfytyrime: Do të kapërcejmë Jonin, mbreti im, –  / matanë janë romakët. / Syri i stuhishëm / I / natës do ta përpijë, por ne, / me not do t’i kërkojmë brigjet –  / dhe do t’i gjejmë.

Poezia e Fatos Arapit është e lidhur ngushtë gjithashtu edhe me anën ekzistenciale të qenies njerëzore, siç është e lidhur ngushtë edhe me zhgënjimin, fatin tragjik të atdheu, gjendjet e trishtimit, të dhembjes dhe humbjes njerëzore: Atje në bregdet, / ku nëpër net / bisedojnë yjet me qiparisat. / Dhe fjalë të kaltra / flet e shpërndan / deti matanë. /Fjalët që i njohim, / që i kuptojmë, / unë / me babanë…Deti i jashtëm, i thellë e i brendshëm dhe njëkohësisht edhe det intim, “ashtu fantastik e i madhërishëm”, që e ndjek nga pas edhe fatin e poetit dhe bën që Fatos Arapi të mbetet ndër poetët më përfaqësues të kësaj tematike të gjerë dhe t’i jepte vend të nderuar e të përveçëm në poezinë shqiptare.

Pirrua

(fragment)

1.

Do të kapërcejmë Jonin, mbreti im, –

matanë janë romakët.

Syri i stuhishëm

I natës do ta përpijë, por ne,

Me not do t’i kërkojmë brigjet –

dhe do t’i gjejmë. Kreshpërua e tyre

do të lëmohet nën gjurmën tonë.

Ne do të thërrasim “Këtu jemi!”.

2.

Velat e natës do të dridhen

të mbushura me shfryrjen e stuhishme

të shpirtit mollos.

Koha do të rinisë lundrimin e saj.

(Ti e di, mbreti im, përpara është Argosi…).

 

Më Shumë