Futboll

Detajet e fundit, Strakosha ka arritur akordin me klubin anglez

Gazeta Si - Tomas Strakosha do të transferohet në Premier Ligë sezonin e ardhshëm. Janë për t’u pëcaktuar edhe detajet e fundit, por portieri kuqezi duket se ka arritur akordin me Fulhemin. Zyrtarizimi është çështje orësh.

Pas 6 sezonesh, Strakosha do të largohet nga Lacio. Portieri shqiptar është në fund të kontratës me klubin italian dhe për të ardhmen ka zgjedhur kampionatin anglez.

Tomas Strakosha, portieri i Kombetares. Gazeta Si, 21 maj 2022

Fulhemi, i rikthyer në nivelin më të lartë të futbollit anglez, është në detajet e fundit të mbylljes së marrëveshjes. Klubi nga Londra ka marrë “ok”-in e Strakoshës për një kontratë 4-vjeçare.

Strakosha bëhet kështu lojtari i tretë kuqezi që luan në Premier Ligë, pas Lorik Canës dhe Armando Brojës.

Me Lacion Strakosha numëron 207 ndeshje me skuadrën e parë. Ai ka fituar 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italie. Me të rinjtë e Lacios ka fituar një titull kampion dhe një Kupë.

Gjatë këtij sezoni palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës. Lacio në këtë mënyrë nuk përfiton asgjë nga portieri kuqezi. Strakosha është aktivizuar titullar nga trajneri Mauricio Sarri vetëm në gjysmën e dytë të sezonit.

Portieri 27-vjeçar duket se e kishte vendosur për t’u transferuar në Angli, në kampionatin më të fortë në botë. Përveç Fulhemit, për të është interesuar edhe klubi i Njukasëllit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë