Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka ndryshuar zyrtarisht skemën e garancisë shtetërore të huas, e cila u prezantua një vit më parë si një instrument për të nxitur kreditimin e fermerëve. Me vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit, skema nuk do të jetë më e dedikuar vetëm për bujqësinë, por do të përfshijë të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit ku ushtrojnë aktivitetin.
Vendimi i ri parashikon një linjë garancie shtetërore me vlerë 5 miliardë lekë për garantimin e huave të bizneseve të vogla në të gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe të fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me NIPT.
“Miratimin e linjës së garancisë shtetërore të huas, në vlerën 5 miliardë lekë, për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të veprimtarisë së tyre ekonomike, si dhe fermerëve të regjistruar e të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, që ushtrojnë veprimtari në sektorin e bujqësisë,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ndryshimi vjen pasi skema e posaçme për bujqësinë nuk arriti rezultatet e premtuara. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rezultatet ishin shumë larg pritshmërive. Brenda një viti, kredia për sektorin e bujqësisë u rrit me vetëm rreth 7 milionë euro, duke arritur në rreth 70 milionë euro, shumë larg objektivave të shpallura nga qeveria.
Skema u prezantua në shkurt të vitit të kaluar nga kryeministri Edi Rama dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë si një projekt që do t’i jepte një shtysë të fortë bujqësisë. Sipas planit të shpallur atëherë, fermerët do të kishin mundësi të merrnin kredi me interes rreth 2%, ndërsa shteti do të garantonte deri në 70% të principalit të kredisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje