Kosova

Dështon edhe raundi i katërt për dinarin në Bruksel. Petkoviç: Serbia bëri çdo gjë për të gjetur një zgjidhje por Kosova jo

Nga Gazeta 'Si' - Ka përfunduar sërish pa ndonjë marrëveshje edhe raundi i katërt mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, "por ata kanë paraqitur propozimin e tyre".

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Beogradi "bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje".

"Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve", tha ai.

Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviç bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një raund tjetër bisedimesh.

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë. Serbët në Kosovë e Metohi po vuajnë dita-ditës për shkak të vendimit të Albin Kurtit për ndalimin e pagave, pensioneve, përfitimeve sociale të Serbisë, për të rrezikuar punën e institucioneve serbe. Ne kemi nevojë për një zgjidhje urgjente. Ata marrin fatura të rregullta, por problemi është se Prishtina nuk dëshiron të gjejë zgjidhje. Është e qartë se ajo që thuhet këtu është se Prishtina po merr vendime politike që synojnë dëbimin e popullit serb nga zona e Kosovës dhe Metohisë. Edhe sot propozimi ynë u vlerësua si konstruktiv nga Lajçaku.

Prishtina erdhi me zero konstruktivitet, gjë që bëri që ne të mos jemi dakord për asgjë. Sigurisht që do të pranojmë raundin tjetër të bisedimeve, i cili do të zhvillohet javën e ardhshme. Epo, le të shohë Perëndimi dhe bashkësia ndërkombëtare se kush është fajtor në këtë proces, kush i ka shkelur të drejtat elementare njerëzore të serbëve në Kosovë dhe Metohi. Problemi kryesor vjen nga fakti se Prishtina do të refuzojë gjithçka që vjen nga pala serbe – tha Petkoviç.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me kryenegociatorin Petkoviç, dhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

Lajçak kishte thënë ditë më parë se në takimin e kësaj së enjte synohej gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.// Novosti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë