Nga Gazeta Si - Federata Shqiptare e Atletikës pas shumë diskutimesh disa palëshe dhe konsultimesh edhe me Ministrinë e Sportit ka vendosur të shtyjë sërish zgjedhjet për organet drejtuese të kësaj federate, nga presidenti, komitetit ekzekutiv dhe sekretari, të parashikuara për ditën e nesërme, më 4 dhjetor.
Një atmosferë jo shumë e paqtë dhe me shumë pretendime nga palët, nga njëra anë e kandidatit Izmir Smajlaj i cili ishte i gatshëm të zhvillonte një asamble konform legjislacionit shqiptar të ndryshuar në vitin 2020, me pjesëmarrjen e shoqatave në këtë asamble zgjedhore, pasi klubet duhen shndërruar në shoqata në bazë të këtij ligji dhe jo më klube sportive nën ombrellën e pushteteve lokale.
LEXO EDHE:
- '4 shokët' që etja për pushtet i ndau sot nën llogore
- Luiza Gega i 'shpall luftë' grupimit kundër Taulant Stërmasit, presidencës së vjetër të Atletikës
- Ngrijnë zgjedhjet e atletikës, ministrja Manastirliu u 'tërheq' veshin palëve dhe kërkon rikthimin e garës normale
Ndërkohë nga ana tjetër ky ndryshim i statusit në momentin e fundit të 7 shoqatave që rrjedhimisht do të ishin pjesëmarrëse në këtë asamble, solli përjashtimin automatikisht të Taulant Stërmasit nga kandidimi për për president dhe Luiza Gegën nga kandimi për antare komiteti ekzekutiv, të dy këta të fundit të propozuar nga klube që kanë qenë pjesëmarrëse në asamblenë e fundit e vitit 2022.
Ky ngërç ligjor dhe përplasje pretendimesh me sa duket nuk mund të merrnin një zgjidhje të menjëhershme dhe si rrjedhojë, për të qenë të gjithë të barabartë dhe pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor, u vendos nga Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Atletikës që të merret kohë, duke filluar nga përditësimi i statutit të kësaj federate i cili ende nuk ka qenë i miratuar as nga ministria dhe as i regjistruar në gjykatë, pasi duhej përshtatur me ligjin e ri për sportin të vitit 2020. Kështu statuti i përditësuar do t’i dërgohet ministrisë së sportit e cila do të ketë 60 ditë kohë për ta konsultuar dhe miratuar dhe më pas me miratimin e tij, dhe regjistrimin në gjykatë, do të përcaktohet data e re e zgjedhjeve ku sërish kandidatët do të jenë të njëjtë, Izmir Smajlaj përballë Taulant Stërmasit, nëse ky i fundit do të arrijë të sigurojë një shoqatë për ta propozuar si kandidaturë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.