Kombetarja

Dështimet e kombëtares U-17, dy humbje në dy ndeshje

Nuk ka filluar siç duhet aventura e kombëtares U-17 e drejtuar nga Elvin Beqiri në turneun “Mercedes Benz Aegean Cup”. Në dy ndeshjet e para në këtë turne, kuqezinjtë 17-vjeçarë janë mundur 2-0 nga Anglia dhe 3-1 nga Turqia.

Në ndeshjen kundër Anglisë, Shqipëria U-17 ka zbritur në fushën e lojës me Roko; Burgaj; Pjeshka; Preka; Tajari; Abazaj; Gjuzi; Dervishi; Papa; Kasemi; Mitaj. Pjesa e parë ka qenë shumë e luftuar me të dyja skuadrat që kanë zhvilluar një lojë shumë të mirë por është mbyllur me rezultatin 0-0. Pjesa e dytë ka filluar me gol, me anglezët që kanë shënuar në minutën e dytë të këtij fraksioni loje me anë të Lusala. Në minutën e 70-të anglezët dyfishojnë me anë të Delap. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund pavarësisht reagimit nga kuqezinjtë e vegjël. Ndërkohë në ndeshjen e zhvilluar paraditen e kësaj të marte, kombëtarja U-17 tregoi një nivel më të lartë, por sërish ishte inferiore përballë homologëve turq.

Edhe në këtë ndeshje të dytë trajneri Beqiri nuk bëri shumë ndryshime, duke luajtur me: Roko; Pjeshka; Preka; Tajari; Abazaj; M.Dervishi; Papa; Mitaj; Pengu; K.Dervishi; Miftiu. Në pjesën e parë është luajtur një futboll i hapur, duke u shënuar 3 gola, me Turqinë që kaloi në avantazh në minutën e 3-të me anë të Caglar. Në minutën e 38-të kuqezinjtë ishin të pafat me Pengun që shënon një autogol. Reagimi vjen menjëherë dhe në fundin e pjesës së parë, në minutën e 40-të, kapiteni Mitaj shënon nga penalltia. Me rezultatin 2-1 për Turqinë skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë fillon me gol për Turqinë që dërgon shifrat në 3-1 me anë të Bayram, me rezultatin që nuk ndryshoj deri në fund përtej rasteve të të dy skuadrave.

Turneu i kuqezinjve mbyllet në datë 17 Janar, në orën 15:00, me ndeshjen që do të luajnë përballë moshatarëve të tyre nga Moldavia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë