Kombetarja

Dështim në Islandë, mundemi me një goditje

Ka filluar me humbje aventura e Edi Rejas në drejtimin e Kombëtares shqiptare. 1-0 është mbyllur ndeshja e zhvilluar në Rejkjavik. Me një rreshtim të ri dhe një stil loje disi ndryshe, ku si rrallë herë Shqipëria luajti gjatë gjithë ndeshjes me dy sulmues në fushë, sërish nuk u evitua humbja. Pas pjesë të parë me ritëm të lartë dhe me shumë raste për gol, në 45 minutat e dyta ekipi shqiptar vuajti shumë peshën e golit të pësuar dhe vendosjen gati perfekte në fushë të vendasve. Nga kjo ndeshje mund të gëzohemi për lojën e ekipit shqiptar që ndryshe nga humbja me Turqinë tregoi një përmirësim të ndjeshëm.

Në minutat e para ekipi shqiptar ushtroi presion dhe Lenjani me Cikalleshin u shfaqën disa herë rrezikshëm, por pa mundur të jenë konkretë. Islanda nga ana tjetër ishte shumë më e kujdesshme dhe doli më me vështirësi në zonën e portierit Berisha. Në minutën e 22’ erdhi goli i vendasve, me anë të Gudmundsson, i cili me një lëvizje të shpejtë kaloi shumë lehtë mbrojtësit kuqezinj. Pas këtij goli ekipi i Rejas nuk u tërhoq pas, por insistoi në gjetjen e barazimit. Por asnjë prej inkursioneve të Shqipërisë nuk rezultuan të sakta dhe pjesa e parë u mbyll1-0 në favor të vendasve.

Në pjesën e dytë Shqipëria hyri në fushë më agresive në kërkim të golit të barazimit. Reja bëri të gjitha lëvizjet, duke i përdorur të gjitha kartat e tij për lojtarët sulmues që mund të aktivizonte, por nuk rezultuan decizive, pasi rezultati mbeti po i njëjtë. Disa momente kur Shqipëria iu afrua portës, kundërshtare, Islanda u bë e gjitha një mur, duke ia dalë që ta mbrojë këtë fitore me shumë vlera për ta.

Me këtë disfatë për kombëtaren shqiptare thuajse shuhen të gjitha shpresat për një kualifikim në kampionatin europian, pasi kemi vetëm 3 pikë në 3 ndeshje të luajtura. Sakaq për Islandën rriten së tepërmi shanset, pasi barazon Turqinë me 6 pikë në 3 ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë