Politike

Dëshmon në procesin Thaçi, Ali Ahmeti mendon dorëheqjen nga BDI

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti mund të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë deri në përfundim të procesit të marrjes në pyetje nga gjykata speciale e Kosovës, me bazë në Hagë.

Ahmeti është thirrur për të dëshmuar në aktakuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe ish-drejtuesve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe tortura.

Mediat në Maqedoni dhe në Kosovë shkruajnë se kryetari i BDI-së po mendon tërheqjen e përkoshme, duke i deleguar kompetencat e kryetarit nënkryetarit Artan Grubi, që me marrëveshjen e re të koalicionit me LSDM-në do të jetë zv.Kryeministri i parë në kabinetin e Zaev.

Sipas lajmeve që qarkullojnë janë dy opsionet që po mendohen nga Ahmeti. I pari është që ai t’i delegojë kompetencat e kryetarit Grubit deri në përfundim të procesit të marrjes në pyetje dhe i dyti që Grubi ta drejtojë BDI-në deri në Kongresin e ri të saj, ku më pas të votohet për kryetarin e ri.

Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare. Megjithatë, qarkullojnë disa informacione sipas të cilave, Ali Ahmeti u ka shprehur bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë pamundësinë për të drejtuar partinë gjatë periudhës së marrjes në pyetje në Hagë.

Ali Ahmeti si ish-luftëtar i UÇK-së në Kosovë është mes dhjetra dëshmitarëve të thirrur për të dëshmuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me bazë në Hagë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë