Ngjarje

Dëshmitë që fundosin autorin e vrasjes së teknikut të kondicionerit

Një cigare që u gjet e ndezur dhe një çakmak përtokë. Pije energjike B2 të hapura për t’u konsumuar, një çokollatë, dy paketa cigare, por edhe një bluzë me kapuç të zi e ndotur me njolla gëlqereje dhe që është përdorur nga punëtorët gjatë restaurimit të shtëpisë. Këto prova janë përcjellë në Policinë Kriminalistike pas vrasjes së punëtorit Indrit Çelaj, pas vendimit të prokurorisë, e cila shpreson të gjejë prova biologjike dhe daktiloskopike gjatë ekspertimit të tyre çka do të hidhte akoma më shumë dritë mbi krimin që tronditi kryeqytetin gjatë verës. E ndërsa policia shkencore pohon për Gazetën Si se nuk ka përfunduar ende ekspertimin, policia vendore ka dështuar në aksionet e njëpasnjëshme për kapjen e dy vëllezërve Kusi, që janë të dyshuarit kryesorë të vrasjes së 22 gushtit.

“Hajde ikim se u vra djali i kondicionerëve”

Altin Nazo është njëri nga punëtorët që është pyetur me detaje për vrasjen e Indrit Çelajt. Ai ka treguar rutinën e tij se si kishte shkuar te vila trekatëshe fare afër shkollës “Sabaudin Gabrani” për të punuar. Është paraqitur fiks në orën tetë së bashku me shokun e tij, Artur Buklin dhe më pas aty kanë mbërritur edhe dy punëtorët e tjerë. Dëshmitari u thotë agjentëve:

Nazo: Isha duke punuar në katin e parë të kësaj ndërtese. Isha tri dhoma larg vendngjarjes. Po stukoja muret, isha vetëm kur dëgjova një zhurmë sikur të binte një llamarinë në dysheme. Por nuk e kuptova aspak se ishte krismë arme. Vazhdova punët pa e ditur se çfarë kishte ndodhur, ndoshta edhe katër apo pesë minuta më vonë. Më pas vura re shokun e punës, Artur Buklin që u shfaq i trembur. Më tha “hajde ikim se u vra ai djali i kondicionerëve”. Zbrita nga shkalla i trembur dhe pashë edhe shokun e tij me telefon në dorë. Ai quhet Loni. E pyeta çfarë ka ndodhur? Por, ai i trembur nuk m’u përgjigj. Desha të hyj në dhomën ku kishte ndodhur ngjarja, por edhe unë pata frikë që të afrohesha te personi i plagosur. Mora rrobat dhe makinën dhe u largova.

Gjaku në duar

Por, ndërsa shokët e të tjerët ngritën supet dhe nuk treguan asgjë se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë që po meremetohej edhe nga tekniku i kondicionerëve, prova më e fortë është një kamerë sigurie e instaluar në një biznes pranë shtëpisë së krimit. Kamera tregon në një moment Griseldo Kusin, i dyshuari kryesor si vrasës i të riut teksa shikon duart. Në njërën prej të cilave dallohen njolla gjaku shton policia. Sipas prokurorisë ora është 10.27.30 sekonda. Griseldo Kusi shfaqet në krye të rrugës, afron dorën e djathtë pranë fytyrës, bën sikur i merr erë dhe e shikon me vëmendje. 10 minuta më vonë në banjën e lokalit hyjnë për të larë duart edhe Bujar Kusi, babai i të dyshuarit që gjendet nën arrest me burg si edhe Ferdinant Bakalli. Gjatë minutave në vazhdim kamera ofron pamje të disa burrave të identifikuar, të shqetësuar, duke komunikuar me njerëz të tjerë që janë në një makinë “Opel”, madje në disa momente një kamera tjetër me numër tre shfaq të kërkuarin tjetër, Albano Kusin teksa bën veprime të pakontrolluara gjatë bisedës me Agron Hasramën.

Po këtu çfarë po bëhet?

Kjo ka qenë pyetja që Griseldo Kusi u ka drejtuar punëtorëve. Menjëherë ai lëvizi i nervozuar. Kështu i përshkruan dëshmitari tjetër, Durim Avdo, me profesion usta gipsi, sekondat pak përpara se të shkrepej arma që i mori jetën punëtorit. Pyetja u bë menjëherë pasi djali i pronarit kishte ardhur për të inspektuar punimet, në një kohë që pak më tej dëgjohej zhurma e trapanit me të cilin po punonte njëri prej tyre. I është afruar Indritit që po punonte në tualet me trapan dhe ka filluar t’i bërtasë: “Çfarë po bën, përse po e hap atë vrimë aty, ku do ta çosh shkarkimin e kondicionerit?”. Punëtori është përgjigjur: “Nuk e di unë se ku do e çosh shkarkimin e kondicionerit”. Dëshmitari kujton se pronari ka bërtitur: “Kur nuk e di ti nga do ta di unë?”. Menjëherë pas kësaj fjalie Griseldo ka nxjerrë armën nga brezi, e ka mbështetur në kokën e punëtorit dhe e ka shkrepur. “Pashë se punëtori i kondicionerëve ra në tokë dhe nga koka i doli gjak”, shton dëshmitari okular, që përshkruan se si vrasësi u përkul, mori gëzhojën që ishte përtokë dhe doli nga shtëpia.

Oficerët i kërkojnë dëshmitarit që ta përshkruajë vrasësin dhe ai vazhdon:

“Griseldo ishte i veshur me një palë pantallona të shkurtra blu xhins, bluzë me duar të shkurtra në ngjyrë blu. Në dorë mbante një çantë me ngjyrë të  zezë. Mbaj mend se ndezi blicin e telefonit kur shkrepi armën, kërkoi afër trupit të punëtorit që po i   rridhte gjak dhe vetëm pasi mori gëzhojën e futi armën në brez dhe u largua në këmbë”.

I kërkuari që u gjet nga vrasësi

Lorenc Veliaj e nisi rrëfimin e tij në polici duke u pohuar pikërisht uniformave blu se ai ishte prej kohësh i kërkuar dhe se me të, njëri nga njerëzit që i kishte hapur derën dhe e kishte strehuar i kishte kërkuar nder që të merrte përsipër “diçka të vogël”.

Veliaj: Unë aktualisht jam në kërkim për një ngjarje të ndodhur në Komisariatin numër 4. Ndaj meje gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” në mungesë. I fshihesha policisë duke qëndruar në lokalin e Ali Sulës në Bërxullë. Njihesha prej kohësh me Griseldin, pasi kam qenë në burg me të vëllanë, Albanin. Atë ditë ai erdhi në lokalin ku fshihesha dhe më kërkoi ndihmë. Më tha se kishte qëlluar me qytën e pistoletës një person, të cilit nuk ia dinte emrin, por më tregoi se ishte punëtori i tij dhe se po montonte kondicionerët. Duke qenë se e kisha një problem të hapur me drejtësinë, më kërkoi ta merrja përsipër këtë krim. E pyeta se mos kishte bërë ndonjë gabim dhe e kishte qëlluar me plumb? Më tha “Jo”. Aty erdhi edhe Ali Sula që, me sa kuptova, kishte dijeni për ngjarjen. Më pas, Griseldo u largua. U bëra kurioz dhe hyra në ‘google’ dhe kërkova. Aty pashë se personi për të cilin më kishte folur Griseldi ishte goditur me plumb në kokë dhe se ishte në gjendje të rëndë. U frikësova dhe kuptova se isha mashtruar dhe se nuk kisha përse ta merrja përsipër këtë krim. U nisa në këmbë drejt Policisë së Tiranës dhe aty u vetëdorëzova ku edhe tregova të vërtetën për çfarë dija.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë