Lajme

Dëshmitari që zbardhi vrasjen e 26-vjeçarit lihet në burg për akuza të tjera

Lorenc Veliaj, dëshmia e të cilit zbardhi autorët e vrasjes së 26-vjeçarit Indrit Çelaj, do të qëndrojë në burg. Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë 'arrest me burg" për Lorenc Veliajn për 3 vepra penale për të cilat ai kërkohej më herët. Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për Veliajn, i cili akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë, prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit si dhe shkatërrim prone.

Veliaj u arrestua pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ku u vra me plumb në kokë 26-vjeçari Indrit Çelaj, por më pas, rezultoi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë ngjarje. Fillimisht Veliaj u shoqërua si person i dyshuar për krimin, edhe pse kërkohej nga policia për 3 vepra të tjera penale. Dëshmia e Veliajt nxori edhe emrat e autorëve të vrasjes, dy vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi. Indrit Çelaj, teknik për montimin dhe riparimin e kondicionerëve, humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë dhe ndërroi jetë dje në Spitalin e Traumës.

Ishte pikërisht dëshmia e tij që nxori edhe emrat e autorëve të vrasjes, dy vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi. Veliaj ka rrëfyer se gjithë skemën e krimit, sherrin që kishte nisur rrjedhjen e ujit të kondicionerit mes Indritit dhe dy djemve Kusi dhe që kishte përfunduar me goditjen në plumb në kokë të të riut".

"Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas kanë biseduar me shtetasin L.V me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes”,  do të  deklaronte Policia më 23 gusht.  Atij iu kërkua nga dy vëllezërit autorë të vrasjes që ta merrnin përsipër ngjarjen.

Në lidhje me vrasjen e Indrit Celës, janë arrestuar 4 persona mes tyre pronari i vilës, Besnik Kusi ndërsa janë shpallur në kërkim 2 djemtë e tij, vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë