Nga Gazeta ‘SI’ – I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka dhënë detaje mbi atentatin që i mori jetën Dorjan Shkozës në vitin 2020 në Durrës.
Në seancën e radhës gjyqësore të “Plumbit të Artë”, Alibej ka rrëfyer se ka paguar 100.000 euro për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe kishte blerë armë nga një person i njohur si “Hoxha”, me çmime që varionin nga 500 deri në 3500 euro. Kontaktet me “Hoxhën” i kishte ndërmjetësuar Sander Baho.
Alibej tregoi se për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, po në Durrës, ai i dha Nuredin Dumanit dy kallashnikovë dhe një pistoletë. Pas këtij atentati Alibej ka pranuar se ka mbajtur kontakte të rregullta me Dumanin, me të cilin diskutonte për aktivitetet e Talo Çelës dhe objektiva të mundshëm si Altin Ndoci. Ai përmendi edhe Henrik Hoxhën, të cilin nuk e njihte personalisht, por dinte që i referoheshin me pseudonimet “Kusho” dhe “Nipi”.
Pjesë nga dëshmia e Alibejt:
Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro, nga Hoxha janë blerë disa armë, varionin çmimet nga 500-1000 deri 3500 euro. Nuk e di fiks se kontaktet me “Hoxhën” i kishte Sandër Baho. Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes se vëllezërve Haxhia. Por me Nuredinin isha në kontakt te vazhdueshem, Henrik Hoxhën se njihja vetëm kam dëgjuar që kishte pseudonimin “kusho” edhe “nipi” që i drejtohej Klevis Allës. Me Nuredinin flisja për Talo Çelën që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do u bënte i gjallë apo jo. Gjithashtu vijoja investigimin për Altin Ndocin, ky shkonte shpesh në Durrës tek vëllezerit Haxhia. Klevis Alla kishte pa një ditë Talon tek shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva.
Nuredini është angazhu me qenë i përgatitur me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre si dija. Ne SKY ECC me shkruan Plarent Dervishi, kam pas kontakt me të, ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Ghost”. Plarenti me tha “mbohet qefi qe e ke gjet Talo Çelën”, unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plarenti kishte shum muhabet me Festim Qolin. Kishim nje makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ja dhash Nuredinit dhe armet që ai donte, ja dhash tek pazari i Rrogozhinës, ishte me Klevis Allën kur e mori, me pas Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro, ja çova me një mikun tim dhe i çova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bera që dhe Nuredini të shikonte që unë kisha lekë dhe të kishte besim.
Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit 2 kallash dhe 1 pistolete mesa kujtoj, ca me kerkonte ja jepja. Armet ja dhash bashk me makinen, plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt në TV lajmi që e mora vesh, edhe në lajme që u gjet e braktisur Toyota, i thash Nuredinit pse shenja gjaku në makinë, më tha kemi gjujt me xhama mbyll dhe nga ciflat është lëndu në këmbë “kusho”. Pastaj u shoqëru “nipi” në polici dhe Nuredini mtha “mduket se ky po flet” dhe sa mora vesh e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri i Pojes” që Nuredini e kishte mik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.