Ngjarje

Dëshmia e 31-vjeçarit me koronavirus nga Infektivi – Kush e rrëzoi protokollin?

Një 31-vjeçar i kthyer nga Milano është një prej personave të konfirmuar me koronavirus në vendin tonë mbrëmjen e së hënës. Ai ndodhet që prej së dielës në spitalin e Infektivit në QSUT ku ka shkuar vetë, pasi thotë se autoritetet nuk i shkuan në shtëpi për t’i marrë tamponin.

Dëshmia e tij, në një komunikim televiziv ngre sot shumë pikëpyetje për përgatitjen e autoriteteve shqiptare për të përballuar një epidemi të mundshme. Edhe pse kishte dyshime të forta se ishte i infektuar, ai ka ekspozuar miq, familjarë, mjekë dhe dhjetëra persona edhe në një spital privat ndaj virusit, pasi nuk është vënë në izolim në në kohë nga autoritetet shëndetësore.

Sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili është shkelur në këtë rast si nga pacienti, ashtu edhe autoritetet, një qytetar që ka dyshime se është infektuar, duhet që fillimisht të izolohet në shtëpi, të telefonojë më pas në numrin 127 dhe të presë që mjekët e pajisur me veshje mbrojtëse t’i marrin tamponin. Nëse rezulton pozitiv dhe në varësi të gjendjes së shëndetësore të tij, qytetarit i rekomandohet nga vetëizolimi, deri tek shoqërimi për trajtim intensive në Spitalin Infektiv.

Por çfarë ndodh kur nuk respektohen asnjë nga prej hallkave të zinxhirit? Rasti i 31-vjeçarit duket të jetë shembulli më i mirë i moszbatimit të protokollit duke rrezikuar në përhapjen e virusit tek dhjetëra njerëz. Të riut i lindën dyshime se ishte infektuar pasi qëndroi pak orë në Milano, ku kishte zbritur nga një tjetër vend. Ai filloi të shfaqte temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen.

31-vjeçari ishte kthyer nga Milano të martën e kaluar dhe për disa ditë me radhë, takoi një sërë miqsh dhe familjarët. Atij iu shfaqën simptomat 4-5 ditë më pas, kur edhe siç rrëfen, filloi të shmangte të gjitha kontaktet me familjarët. Të dielën, për shkak të temperaturës së lartë, ai vendosi të kontaktonte autoritetet shëndetësore dhe të bënte tamponin, në mënyrë që të hiqte dyshimet.

Ai tregoi se të premten kishte telefonuar urgjencën, e cila e kishte këshilluar të telefonte 127-ën, një linjë e posaçme për personat që dyshojnë se janë të prekur nga koronavirusi.

“Kam kërkuar të më bëhej tamponi, por mjekët nuk ma bënë, sepse nuk kisha shenja”, tregon ai. Gjatë gjithë fundjavës, ai ka komunikuar disa herë me urgjencën në numrin 127, duke u treguar se vazhdonte t’i rritej temperatura, por nuk arriti të komunikonte kurrë me ta për t’i bërë tamponin.

“Ditën e diel temperatura arriti 39 gradë. E mora 127-ën në telefon, po nuk m’u përgjigjën”, rrëfen ai. Në panik e sipër, i riu vendosi t’i drejtohej një spitali privat. Aty ai ka kërkuar t’i bëhej tamponi, duke ekspozuar të gjithë pacientët dhe mjekët e pranishëm ndaj koronavirusit. Të shqetësuar, mjekët e kanë sqaruar se nuk mbulojnë asnjë rast me koronavirus dhe se i riu duhet të shkojë në Spitalin Infektiv.

“Te Spitali Amerikan më thanë nuk je për tek ne, je për tek infektivi. Erdha me zor sepse nuk doja të infektoja të tjerët. Erdha me makinën time personale” rrëfen ai. “Sapo mbërrita në infektiv, më kanë shtruar në një pavion me të tjerët që janë të konfirmuar”, shtoi 31-vjeçari

I riu shkoi me makinë drejt infektivit pa iu konfirmuar ende nëse ishte, apo jo me koronavirus dhe i pashoqëruar nga mjekët me veshje mbrojtëse, edhe pse protokolli i qeverisë përcakton të kundërtën. Tamponin që duhet t’ia merrnin në shtëpi, mjekët ia kanë marrë në spital, por nuk ia morën menjëherë, por pasi e vendosën në izolim për 14 orë rresht.

“Erdhën më në fund dhe më bënë analizat, por deri sot nuk ka ardhur asnjë doktor dhe asnjë lloj përgjigje”, thotë 31-vjecari, i cili pretendon se e ka mësuar se është infektuar me koronavirus nga një postim i zv/kryeministrit Erion Braçe në Facebook.

Spitali i Infektivit, Gazeta Si, 2020

“Ministria e Shëndetësisë ka dalë dhe ka thënë që unë jam i prekur me koronavirus, por asnjë person nuk ka ardhur të më thotë që je me koronavirus. Kam mbi 36 orë që jam i izoluar. Jam në merak për familjarët e mi sepse kam pasur shumë kontakte. Ato më thonë të marrin urgjencën”, thotë ai.

Shkelja më e rëndë e protokollit është me mosizolimin e rastit dhe krijimin e hartës së kontakteve dhe personave që i riu ka vendosur të rrezik.

“Kam pasur kontakte me disa persona, me familjarët, me kolegët kam pasur me disa persona prandaj jam i shqetësuar. Janë një numër mbi 10 veta që kanë pasur kontakt me mua. Kur vjen këtu për të bërë tamponin, që kur u dhashë historinë nuk ka ardhur njeri të më pyesi. Neglizhencë totale! Unë prandaj erdha këtu për ta parandaluar”, tregon i riu.

Personat që ai ka takuar pas kthimit në Milano, sipas protokollit të prezantuar nga ministrja Ogerta Manastirlliu dhe kryeministri Edi Rama, duhet të ishin vendosur sot të gjithë në vëtëizolim dhe të ishin në pritje të përgjigjes së analizave.

“Tani jam trembur për familjarët e mi se këta nuk po u bëjmë tamponat”, thotë 31-vjeçari. Asnjë protokoll nuk ndjekin doktorët, as nuk vijnë të informojnë. Jam vetëm në dhomë dhe po më kapi ndonjë gjë duhet të dalë jashtë t’u thërras”, shton ai.

Kush shkeli çfarë?

31-vjeçari konfirmon se kur ka zbritur në Aeroportin e Rinasit, të martën e 3 marsit i është matur temperatura, një masë paraprake që e kanë zbatuar edhe vendet e tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Por, duke qenë si ai nuk kishte asnjë simptomë dhe as temperaturë mbi normalen, të konfirmuar edhe nga vetë deklarata e tij ka qenë e pamundur identifikimi i tij prej autoriteteve në kufi si bartës i virusit.

Pas zbritjes në Rinas nis shkelja që 31-vjeçari i bën rekomandimit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet e tjera shëndetësore, që prej fundit të muajit shkurt. Rekomandimi kërkonte prej personave që ktheheshin nga të ashtuquajturat “zona të kuqe” të Italisë që të vetëkarantinohen për 14 ditë. 31-vjeçari mbërrinte nga Milano, njëra prej këtyre zonave. Kjo do të thotë se në bazë të rekomandimit ai duhej që të qëndronte i ngujuar dhe larg të afërmve dhe personave të tjerë për të paktën dy javë.

Gjithsesi, kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë deri para konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus nuk ishte detyruese, por më shumë në formën e një këshille. 31-vjeçari nuk e ka ndjekur këtë këshillë, madje edhe duke u rikthyer në ambientet e punës.

Ai ka nisur të shqetësohet vetëm kur ka ndjerë simptomat e para të koronavirusit, si temperaturë të lartë dhe dhimbje koke. Sipas rrëfimit, dyshimet iu përforcuan pas rastit të bërë publik të një qytetareje nga Lushnja që rezultoi pozitive me të cilën i riu kishte dyshime se kishte udhëtuar në të njëjtin avion.

Këtu thotë se ka marrë në telefon 127 ditën e premte, pra më 6 mars. Ai pretendon se jo vetëm që në shtëpi nuk i është paraqitur asnjë mjek për t’i marrë tamponin për kryerjen e analizave, por se as përgjigje nuk i kanë kthyer.

Gazeta “Si” mëson nga Shërbimi Kombëtar i Urgjencës se raste të tilla nuk përjashtohen. Nga ky shërbim thonë se për shkak të fluksit të madh të telefonatave funksionon një filtër i tyre, duke u dhënë përparësi rasteve që gjykohen si më emergjentet. Por, rasti i 31-vjeçari a nuk ishte emergjent? I riu thotë për mediat se temperatura trupore e tij kur ka kontaktuar numrin 127 ishte 38-39 gradë celcius dhe kishte dhimbje të forta koke.

Dy simptomat dhe historiku i lëvizjes së tij duhet të kishin aktivizuar stafet mjekësore që t’i merrnin sa më parë tamponin për kryerjen e analizave. Këtu, protokolli i përcaktuar nuk është zbatuar nga autoritetet. Hapi tjetër është ai i adresimit të 31-vjeçarit tek një spital privat. Këtu, protokolli është shkelur nga i riu, që përsa kohë kishte një gjendje të qëndrueshme shëndetësore, duhej të kishte këmbëngulur që të kontaktonte me 127.

Kësaj ideje i mëshoi edhe në konferencën për shtyp këtë të martë shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ai u bëri thirrje qytetarëve që në rast se dyshojnë që janë të prekur nga koronavirusi të mos u drejtohen spitaleve, por të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë udhëzimet higjieno-sanitare dhe distancën nga personat e tjerë. Brataj foli për një fluks të madh telefonatash në drejtim të 127. Megjithatë, ai tha se situata është përballuar me sukses prej mjekëve dhe stafit të urgjencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë