Futboll

Derbi për titullin, Gega: Fitojmë për tifozët që do mbushin stadiumin

Fitorja në derbi këtë herë për Partizani mund të ketë shijen më të ëmbël prej 26 vitesh. Mjafton një triumf në ndeshjen e kësaj të diele dhe Partizani shpallet automatikisht kampion i Superligës Shqiptare për sezonin 2018-2019, pas plot 26 vitesh.  Por ndeshja është më delikate se ç’duket në plan të parë. Tirana lufton për mbijetesën dhe këto pikë i ka jetike, kur kanë mbetur edhe katër javë dhe ka vetëm 5 pikë më shumë se Kastrioti i vendit të parafundit. Në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka thënë se kjo ndeshje si gjithë të tjerat vlen tre pikë. Për teknikun e kuq, fakti që në tre ndeshje Partizani ka marrë 7 pikë, do të thotë se edhe në ndeshjen e nesërme çdo gjë mbetet e hapur. Më tej Gega tha se ai nuk firmos për barazimin edhe nëse ai do i garantonte skuadrës së tij fitimin e titullit.

"Nuk firmos për asgjë, do shohim ndeshjen çfarë do prodhojë dhe në shumë raste ajo jep atë që meriton. Është ndeshje radhe, por tashmë ka ardhur fundi dhe shpresojmë t'ia dalim në derbi, për të mbyllur me sukses gjithë këtë rrugëtim të gjatë. Kemi luajtur 3 derbi, kemi marrë 7 pikë, ndaj nuk është ndonjë ndeshje që do ndonjë përgatitje të veçantë, skuadra e di vetë sa vlerë ka. Tirana e di vetë punën e vet, nuk është detyra jonë të analizojmë Tiranën. Është gjë e madhe që tifozët nuk kanë humbur shpresa, uroj t'i gëzojmë, sepse nuk na janë ndarë kurrë. Është një 90-minutësh ku nuk i dihet asgjëje, por kemi shpresën se do të mbushet stadiumi dhe do të festojmë të gjithë bashkë.”- tha Gega

Për mungesat trajneri i Partizanit, tha se ekipi i ka mundësitë brenda grupit për t’i zëvendësuar edhe pse Asani, Mensah e Telushi janë lojtarë të rëndësishëm. "E vërtetë, na mungojnë 3 lojtarë me kontribut të jashtëzakonshëm, por për fat pjesa tjetër e ekipit ka treguar gjithnjë se di t'i zëvendësojë mungesat. Nesër është diçka tjetër, natyrisht, por e kemi përgatitur ashtu si dimë ne, me filozofi të njëjtë. Asani, Mensah e Telushi janë lojtarë të rëndësishëm, por do të mundohemi t'i zëvendësojmë.

Gega tha se paragjykime do të ketë gjithmonë, por kjo gjë nuk është në dorën e tij dhe të ekipit. "Paragjykimet nëse Partizani humbet? Nuk i kemi ne në dorë. Vetëm Zoti nuk paragjykohet, njerëzit paragjykohen gjithmonë. E rëndësishme është ta kemi ndërgjegjen të pastër. Edhe në Champions League shohim surpriza të mëdha, uroj që të mos na ndodhë ne. Derbi është gjithnjë ndeshje e veçantë, ku renditja nuk ka rëndësi. Duam të jemi të qetë dhe të pastër në mendjen tonë, kaq. Mungojnë shënuesit më të mirë, por pak rëndësi ka kush shënon, mund të shënojë edhe Alban Hoxha nesër, varet nga situata. Shpresoj të mbarojmë punë, nuk ka rëndësi, me penallti, me goditje këndi a ç'të dalë. Jam krenar për këtë ekip, për këtë klub, kemi luajtur Fair-play dhe kemi qenë seriozë gjithë sezonin.”- u shpreh Skënder Gega.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë