Futboll

Derbi ndryshe, balancë në fushë dhe trajnerë “të kërcënuar”

Derbi i parë i këtij sezoni mes Tiranës dhe Partizanit është një barometër për të dyja skuadrat. Do të tregojë shumë për atë se çfarë mund të bëjnë dy klubet kryeqytetase këtë sezon, që vjen me një Tiranë ndryshe nga vitet e fundit. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që e bën derbin të ketë pritshmëri më të madhe. Tirana është 3 pikë para, mban vendin e 3-të, me 10 pikë, kurse Partizani të shtatin me 7 pikë.

Tirana e fushës është shumë më e fortë se 5 vitet e fundit, kur nuk ka parë asnjë “ditë të bardhë” në derbi. Bardheblutë këtë radhë nuk janë në rolin e sfidantit ndaj Partizanit, që vjen me statusin e ekipit kampion. Është një derbi i balancuar nga ana forcës sportive, pastaj interpretimi që lojtarët do të bëjnë në fushë është çështje tjetër. 100-vjetori i krijimit i ka motivuar të gjithë në kampin e Tiranës për rikthimin te titulli dhe titulli nuk fitohet, nëse nuk fiton derbin. Me siguri Tirana do të hidhet në sulm për të hequr edhe mallkimin 5-vjeçar, që po e mundon shumë.

Nga një derbi mes Tiranës dhe Partizanit sezonin e fundit. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Në shtëpinë e Partizanit atmosfera nuk është si sezonin e fundit, kur në stol ishte Skënder Gega. Nuk është më ai entuziazmi i madh, por derbi të motivon vetvetiu dhe nga të kuqtë pritet një reagim pas atyre rezultateve jo të mira të javëve të para. Madje, në lojë është edhe “koka” e Lerdës, trajnerit italian që mund të bëjë valixhet gati në rast disfate. Paralajmërimin “kërcënues” ia ka dhënë direkt presidenti Gaz Demi, ndërsa trajneri është munduar ta kalojë me batutë këtë situatë, duke thënë se nuk kupton shqip. Italiani mund të mos ketë sot të gatshëm mesfushorin Telushi, që do të ishte një mungesë e madhe.

Edhe për trajnerin e Tiranës, Ardian Mema, situata nuk do të jetë e qetë, nëse gabon në derbi. Nisja e bardhebluve ishte mjaft e mirë, por humbja me Kukësin i ktheu me”këmbë në tokë”. Tirana është skuadra pritëse dhe do të ketë ndihmën e tifozëve të saj, që do të jenë më të shumtë në numër. E sigurt është se sot në mbrëmje do të jetë një derbi shumë i lufutar, me shumë mundësi edhe më spektakolar, sepse cilësia sportive është rritur. Fituesi i jep një shkelm të fortë humbësit, pasi ndikimi i derbit është shumëplanësh për secilën palë. Patjetër që skuadrat nuk do të kursehen sot, sepse është shumë shpejt për të bërë “akademikun” në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë