Futboll

Derbi i Londrës për Kupën e Anglisë në kohën e duhur

Kupa e Anglisë nuk është trofeu më prestigjioz në ishullin britanik, por kjo nuk do të thotë se mund të nënvlerësohet. Carabao Cup në fazën e tij çerek finale rezervon një përballje shumë të fortë. Luhet një nga ndeshjet më të zjarrta në Angli, derbi i Londrës, Arsenal-Totenham. Ndeshja që fillon sonte në ora 20:45 ka një rendësi të veçantë për të dyja ekipet. Si Arsenali dhe Totenhami janë jashtë luftës për titullin kampion dhe ky trofe i vogël shikohet si një kamërdare për të shpëtuar sezonin.

Arsenali me trajnerin e ri Unai Emeri duket i rilindur këtë sezon dhe po rivalizon për vendet e para. Në Europa League çdo gjë ka shkuar mirë për “topçinjtë” dhe kjo përballje me Totenham vjen në momentin e duhur. Është koha e duhur për të matur forcat edhe për “gjelat”. Totenham me shumë vështirësi kaloi grupet e Chmapions League dhe në kampionat vijon të mbajë vendin e katërt. Pas startit të dobët, skuadra e Poketinos duket sikur është formatuar dhe derbi me Arsenalin i vlefshëm për Carabao Cup do të jetë një mundësi e mirë për të konfirmuar momentin e mirë.

Ndeshja do të luhet në “Emirates” dhe me shumë mundësi përballja tjetër mes këtyre dy ekipeve do të luhet në stadiumin e ri të Totenham.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë