Politike

“Der Standard”: Rama loboi me Vuçiçin për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Kryeministri: E turpshme, Fake News

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot me forcë ndaj një artikulli të gazetës austriake “Der Standard”, e cila akuzon kreun e qeverisë se së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç kanë lobuar për ndryshimin e kufijve të Kosoës, ose siç e cilëson gazeta për “ndarjen e saj”.

“Der Standard” i ka dedikuar një artikull dokumentit jo zyrtar të publikuar së fundmi nga mediat sllovene, i cili propozonte ndryshime të gjera kufijsh në Ballkan, përfshire bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Republikës Srpska me Serbinë.

Dokumenti i cili, flitet se e ka burimin nga zyra e kryeministrit slloven, Janez Janša ngalli edhe njëherë diskutimet për kufijtë në rajon, të cilat nisën tre vite më parë, me raportet se Vuçiç dhe ish-presidenti Hashim Thaçi po negocionin një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve. Ashtu si disktutimet e atëhershme, edhe ky propozim duket se ka përfshirë kryeministrin Rama. Gazeta austriake shkruan se ka kërkuar të marrë më shumë informacione nga “truri” i dokumentit, kryeministri Jansa, por se nga zyra e tij i kanë thënë se ky propozim nuk ekziston.

Megjithatë, si “dëshmitar” se dokumenti ekziston, “Der Standard” ka marrë kryeministrin Edi Rama, i cili në një intervistë pak kohë më parë tha se e kishte parë hartën. “E kam biseduar kohë më parë. E kam parë edhe këtë dokument që ka dalë. Nuk kam asnjë koment”, tha Rama në një intervistë përpara zgjedhjeve.

Gazeta shkruan e kryeministri shqiptar Edi Rama u tha mediave shqiptare se ai kishte parë  hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. “Vetë Rama, së bashku me Vuçiç dhe lobistë, miratuan ndryshimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë”, shkruan mes të tjerash “Der Standard”.

Akuzat kanë ngjallur një reagim të ashpër nga kreu i qeverisëe shqiptare, i cili e quan artikullin e gazetës austriake me anë të një postimi në Twitter, një lajm të pavërtetë dhe të turpshëm për një media të tillë serioze.

“Çfarë zhgënjimi të shohësh një gazetë me reputacion të sillet si një shpërndarës i fake news. Nuk kam thënë kurrë asgjë nga ato rreth “non paper” dhe nuk kam mbështetur asnjë ndarje kufijsh në baza etnike mes Serbisë dhe Kosovës. E turpshme”, shkruan Rama në Twitter.

Në fakt kryeministri Edi Rama u bë lideri i Ballkanin Perëndimor që deklaroi se e kishte parë dokumentin në fjalë përpara se ai t’i dërgohej Brukselit zyrtar. Duke folur më 16 prill në një intervistë për Vizion Plus, Rama tha se harta i ishte treguar nga kryeministri slloven Janez Jansa.

“Është një hartë me kufij të ndryshuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mu tregua nga kolegut im slloven Janez Jansa . Ne ​​biseduam së fundmi. Kam parë gjithashtu dokumentin që doli në publik, por nuk kam asnjë koment”, tha Rama.

Por si u rikthye ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan?

Gjithçka nisi portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument nëpërmjet të cilit Sllovenia prezantonte përparësitë e presidencës së saj të BE-së në korrik, kërkohej ri përcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Harta e Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë së Madhe sipas propozimit slloven

Gazeta austriake ka nisur një investigim duke u mundua të gjejë origjinën e këtij artikulli, por zyra e kryeministrit slloven ka mohuar ekzistencën.

“Nëse ndiqni argumentet e zyrës së Jansas, letra nuk ekziston fare, por në të njëjtën kohë gishti drejtohet nga opozita e majtë. Kështu që mbetet e paqartë se si një letër që as nuk ekziston mund të ketë burim opozitën”, shkruan “Der Standard”.

Prej kohësh, disa dokumente jozyrtare shfaqën disa propozime lidhur me Europën Juglindore. Një letër e re është botuar nga gazeta “Koha Ditore” dhe supozohet se është shkruar nga Gjermania dhe Franca. Ai propozon njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë si shtete sovrane duke ruajtur integritetin e tyre territorial. Sipas tij Veriu i Kosovës do të bëhet një rajon autonom, duke ndarë kështu qytetin e Mitrovicës dhe Kishës Ortodokse do t’i jepet një status i veçantë,

“Në të kaluarën, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se nuk do të njihte Kosovën pa ndryshim kufijsh. Vuçiç u përpoq tre vjet më parë me mbështetjen e disa lobistëve që Veriu i Kosovës të bashkohej me Serbinë. Por kjo teori, u kundërshtua nga Gjermania. Ndryshimet masive të kufirit, ndoshta do të çonin në luftë, siç ishte rasti në vitet 1990. Por letra e publikuar pak kohë më parë nga agjencia sllovene e lajmeve sërish solli idenë e ndryshimit të kufijve dhe u kundërshtua menjëherë nga BE dhe politikanë të rëndësishëm në Gjermani”, shkruan gazeta.

“Der Standard” shkruan se në këtë dokument përmendet edhe emri i ish-drejtorit të CIA-s Steven Meyer, i cili mbështet nacionalistin boshnjak Milorad Dodik, i cili kërkon ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja për vite me radhë. “Në fakt, që në vitin 2017, në fillim të diskutimeve rreth një shkëmbimi zone midis Serbisë dhe Kosovës, Meyer përhap të njëjtat ide që janë në të ashtuquajturën letrën e Janšas sot. Në një intervistë për gazetën “Novosti” ai tha në atë kohë se kufijtë ka shumë të ngjarë të ndryshohen si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Kosovë”, shkruan gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë