Rend dhe Ligj

Dënohet gjyqtari i parë i shkarkuar nga Vettingu, Një vit në shërbim prove ish-kryetari i Kushtetueses, Bashkim Dedja

Gazeta Si – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, është shpallur sot fajtor nga Gjykata e Posaçme. Ai akuzohej për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe është dënuar me 1 vit shërbim prove.

Sipas Prokurorisë, ish-kreu i Kushtetueses ka fshehur në deklarime një apartament në kompleksin “Ormars” në Golem, si dhe ka bërë deklarim të rremë të burimit të krijimit të apartamentit në Tiranë, me sipërfaqe 146 m2, lidhur me një hua të marrë nga kunati i tij.

“Sa i takon huasë 10 mijë euro, janë të kunatit që ka punuar në emigrim dhe janë të deklaruara të ardhurat nga emigracioni. Sa i takon apartamentit në Tiranë, kam marrë kredi dhe do paguaj deri në vitin 2023”, - është shprehur Deda.

Bashkim Dedja ishte shkarkuar nga detyra nga shkalla e dytë e vetingut, sepse nuk ka justifikuar në burime të ligjshme dy apartamente dhe një garazh.

Tetorin që shkoi Gjykata e Posaçme ktheu në SPAK dosjen penale në ngarkim të Bashkim Dedjes. Sipas Gjykatës, hetimi nuk ishte i plotë dhe duhet të kryhej një akt i ri ekspertimi për pyetjen e disa personave.
SPAK hetoi vitin e kaluar 10 ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të shkarkuar nga vetingu dhe dyshohet se kanë pasuri të pajustifikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë