Futboll

Dënimi i Skënderbeut, dyshime për “puç” nga Eduard Dervishi

Pak ditë pasi KAS-i dha verdiktin, duke lënë në fuqi dënimin 10-vjeçar jashtë Kupave të Europës për Skënderbeun, presidenti i këtij ekipi, Ardjan Takaj, ka dalë në një konferencë shtypi, duke rrëfyer gjithë situatën. Ai ka ngritur dyshime të forta për një “puç” të orkestruar nga Eduard Dervishi, ish-drejtues i FSHF-së që aktualisht punon pranë Federatës Spanjolle të Futbolit.

“Në janar kam takuar shefin e Komisionit të Disiplinës në UEFA, z.Garcia. Ai më komunikoi dënimin e Skënderbeut dhe më tha se kishte një propozim: 5 vjet përjashtim nga Europa dhe 250 mijë euro gjobë. E kisha dëgjuar këtë nga z.Tavo (presidenti i Luftëtarit) në Tiranë. U shtanga, nuk e prisja, sepse në kafet e Tiranës ziente dënimi i Skënderbeut, kurse ne nuk kishim asnjë informacion. I thashë “si ka mundësi që këtë propozim e kam dëgjuar në Tiranë 3 javë më parë?” Ai më tha: “ke të fala nga zoti Dervishi”. Kjo na bëri të dyshojmë. Në UEFA na dënon i njëjti person, shkojmë në Apel dhe na qëllon sërish relatori spanjoll. Pas kundërshtimit tonë bëhet zëvendësimi, ku spanjolli kaloi anëtar dhe kryetar u bë një turk. Në KAS, si rregull, një gjyqtar e zgjedhim ne, një KAS-i dhe një UEFA. Çudia është se përsëri ishte një spanjoll. E kemi gjyqin me UEFA-n, apo me një grup të vogël spanjoll në këtë federate, që nuk e di për çfarë interesash punon. Nuk na ka dënuar UEFA, por persona të veçantë. Me zotin Dervishi s’kam pasur ndonjëherë konflikt. Dosja Skënderbeu është përpiluar në Tiranë dhe ka shkuar në Zvicër. E kuptoni kush janë miqtë e zotit Dervishi dhe sa të informuar janë. Kishim dyshime se KAS-i mund të influencohej nga UEFA dhe kështu ndodhi”, - theksoi presidenti i Skënderbeut, Takaj.

Eduard Dervishi

Kreu i klubit korçar ka thënë gjithashtu se shumë njerëz nga Shqipëria janë vetoftuar për dëshmi të rreme në shkëmbim të pagesës, ndërsa për e-mail-in kërcënues ndaj UEFA-s ai ka saktësuar se është nisur nga një zyrë në Tiranë. “Të publikohen të gjitha dosjet, sepse e dimë sa të pafuqishëm jemi ndaj UEFA-s. Nuk kemi të bëjmë me një dënim të UEFA-s, por të personave të veçantë. Çdo dëshmitar del anonim, pa emër. Nuk ka asnjë njeri që të ketë denoncuar. Deklarata e portierit të Krusader nuk është marrë parasysh. Nëse do t’i përkisnim një shteti të madh, nuk do të dënoheshim. Ju shkon në mendje se “Sportradari” ka 10 vjet që monitoron Skënderbeun? Kur bën një krim, nuk të lenë të vrasësh 20 vetë që të quhesh fajtor. Skënderbeu u bë kurban për punë milionësh, u eksperimentua me të.

Burimet tona na kanë thënë se e-mail-i kërcënues UEFA-s i ka shkuar nga Tirana. Në rregulloren e UEFA-s thuhet se që të dënohet 1 klub, duhet të jenë të përfshirë drejtues, lojtarë, staf, kurse në rastin tonë nuk ka të përfshirë. Dënohet një klub pa autor. Do ta pranoja, po të dënohesha vetëm unë. E ardhmja? Dënohet një qytet, një tifozeri, që për mua është më e mira. Kam detyrim moral ndaj Korçës dhe do ta vazhdoj projektin me Skënderbeun. Nuk e di si do të jetë pjesa e gjobës, por do të marrim një vendim në të mirë të futbollit. Nuk është vetëm 1 milion euro, janë edhe 10 vjet pjesëmarrje. Flitet për zhdukje. Studioja jonë i është referuar Gjykatës Federale, i ka dorëzuar dokumentet në kohën kur i ka dorëzuar në KAS. Në qershor do të shprehet edhe Gjykata Federale e Zvicrës dhe Skënderbeu do të vazhdojë të funksionojë. Nuk e vazhdojmë dot çështjen, nëse Skënderbeu nuk ekziston. Nuk ka bllokim të lekëve nga UEFA dhe Korça do të ketë futbolli, kemi edhe mbështetjen e bashkisë”, - ka thënë Takaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë