Ekonomi

Denaj: Rimëkëmbja brenda 5 vitesh. Tkurrja këtë vit 6.1% dhe papunësia 12,5 %

Në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të zhvilluar online këtë herë, ministrja e Financave Anila Denaj ka thënë se pandemia ka dhënë efekt të rëndë në ekonominë shqiptare dhe tkurrja këtë vit do të jetë 6.1 % e shoqëruar me një nivel papunësie 12,5 %.

Denaj ka bërë me dije që konsolidimi fiskal do të jetë  me një balancë primare pozitive prej vitit 2022, në mënyrë të sigurt prej vitit 2023, “parashikim i bërë edhe në ndryshimet e ligjit organik të buxhetit. Projeksionet e borxhit parashikohen ende në ekspansion, edhe pse në nivele më të ulëta se gjatë vitit të pandemisë, duke iu rikthyer konsolidimit fiskal brenda 5 viteve të ardhshme.”

Në takim më Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore dhe me Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Europën në FMN ishte edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020. Si rrjedhojë, shumica e indikatorëve ekonomikë pritet të ndikohen nga pasojat negative të pandemisë këtë vit. Ndërkohë, në perspektivën afatmesme, kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë do të jenë thelbësore në përcaktimin e rrugës së rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, e cila pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Guvernatori u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Ky sektor, theksoi Guvernatori, ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Ai shtoi se tregjet e brendshme financiare paraqiten të qeta dhe kanë mbizotëruar norma interesi të qëndrueshme. Kursi i këmbimit paraqitet i stabilizuar, përtej faktit se në fillim të kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë, monedha vendase u zhvlerësua.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Lidhur me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, Guvernatori vlerësoi se ajo mbetet e përshtatshëm duke ofruar stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë