Menaxhim

Denaj: Po mendojmë të ulim taksat për mishin nga Brazili. Skema e financimit të fermerëve s’ndryshon

Nga Gazeta 'SI' - Bujqësia ka qenë debati i radhës midis opozitës dhe mazhorancës në komisionin për Çështjet Ligjore.

Fillimisht, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, prezantoi në komision ligjin për Veterinarinë, me qëllim forcimin e monitorimit dhe inspektimeve në këtë sektor për të garantuar siguri ushqimore sipas standardeve të BE-së.

Sipas saj, ndryshimet përmbushin një rregullor të plotë sipas BE-së, për prodhimin, kontrollin dhe cilësinë e produkteve veterinare  për të garatuar sigurinë ushqimore  në vend. Denaj tha se, ligji i mundëson  prodhuesve të rrisin prodhimin ndërsa do të lehtësohen dhe barrierat administrative për regjistrimin e barnave veterinare të importit.

Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për shfarosjen e blegtorisë në vend, mbështetur në shifrat zyrtare të numrit të krerëve, injektimin e hormoneve në produktet bujqësore dhe ngërçet në skemat e subvencionimin të fermerëve.

Deputeti Dashnor Sula u shpreh se ndihma që marrin fermerët shqiptarë për bagëtitë e tyre është shumë më e ulët se vendet e rajonit dhe Europës, duke kërkuar që të rishikohet skema e rimbursimit për krerët.

Nga ana tjetër, deputetja Dhurata Çupi ngriti shqetësimin për cilësinë e mishit që konsumohet  në Shqipëri dhe që përdoret nëpër Fast-Food dhe restorante.

Deputeti demokrat Saimir Korreshi e prezantoi ministren e Bujqësisë me krizën e grurit.

Sipas tij, gruri nuk po mblidhet më dhe ka një rënie me 90% të fushave të mbjella. Një tjetër shqetësim sipas tij është edhe mungesa e kompensimeve për fermerët. Ai tha se u bë një fushatë që lekët e naftës do t’i kaloheshin në llogari, por ende nuk ka ndodhur.

“E dini që ka dy vite grurin nuk e mbledhin më, nuk e hanë as lopët. Ka një rënie me 90% të fushave të grurit. I morët numrin e llogarive, por nuk i kaluat naftën, kur do kalojë këto leket për të marrë naftën? Si ka mundësi që nuk po subvencionohet më gruri? Ishte politike e kësaj qeverie”, u shpreh Korreshi.

Në fjalën e saj për t’ju përgjigjur deputetëve, ministrja Denaj tha se skema e financimit të blegtorëve nuk do të ndryshojë pasi imponon bashkimin e operatorëve dhe rritjen e blegtorisë në vend.

“Janë 15 kompani shqiptare që tregtojnë mish importi nga subjekte të licencuara nga BE në Brazil. Kjo është garanci e produkteve cilësore. Ata kanë kërkuar uljen e taksës që të bëhen më konkurrente dhe ne po e diskutojmë. Ka kontrolle dhe certifikata sipas standardeve. Në pikat kufitare, kemi një projekt me Bankën Botërore ku do të hapen 7 pika laboratorike për të kontrolluar produktet e importit”, u shpreh ministrja Denaj, duke shtuar se disa pyetjeve do t’u përgjigjet me shkrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë