Ekonomi

Denaj: Dëmet e tërmetit të pavlerësuara ende, fondi i emergjencës i pamjaftueshëm

Fondi i emergjencave civile përmes të cilit do të përballohen dëmet e shkaktuara nga tëmeti i një jave më parë është 130 mln lekë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj është shprehur se ky fond është i pamjaftueshëm për të shlyer dëmet e shkaktuara.

“Nuk dua të bëj deklarata të parakohshme në lidhje me vlerësimin e dëmëve. Është një proces në vazhdim që kërkon kohë”- u shpreh ministrja Denaj, megjithatë sipas saj fondi në dispozicion nga parashikimet është i pamjaftueshëm dhe do të plotësohet me fonde solidare nga donacione të ndryshme si biznesi dhe individët.

Rialokimi, tha Debaj do të bëhet sipas evidencave dhe emergjencës që paraqet çdo rast specifik.

Kurse kryeministri Rama pak ditë më parë është shprehur se qeveria këtë herë do të dëmshpërblejë 100% dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe është në gjendje ta bëjë këtë, megjithatë, do të shtonte Rama ;“Tema e sigurimit të banesave, është një temë që është konsideruar si tabu, është prekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit. Është e domosdoshme për t’i siguruar banesat nga fakteqësitë natyrore. Edhe kolaudimi në Bashki, ndërtimi i çdo godine, sidomos për pallatet, duhet të jetë i lidhur me sigurimin. Duhet të jetë kompania e sigurimit që jep viston për ndërtimin, që për 30 vjet askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ky ishte një test, godinat e kanë tejkaluar parashikimin për hir të së vërtetës”.

Edhe pse nuk ka një evidencë përfundimtare të dëmeve të shkakatuara nga tërmeti i 21 shtatorit, deri tani numërohen 293 banesa të dëmtuara apo me krisje si dhe 20 pallate; në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan e Dibër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë