Kombetarja

Dëmtimi në tendinë mban pezull Myrto Uzunin, e paqartë koha e rikuperimit për sulmuesin

Gazeta Si – Nuk mund të jepet një datë e saktë se kur do të jetë gati sulmuesi Myrto Uzuni, i cili humbi dy miqësoret e fundit të Shqipërisë ndaj Kilit dhe Suedisë. Ai erdhi në grumbullimin e kuqezinjve në Tiranë, por më pas u kthye në Spanjë, sepse dëmtimi nuk e lejonte të luante në këto dy ndeshje.

Granada, ku aktivizohet futbollistit beratas, ka bërë me dije me anë të një komunikate zyrtare se dëmtimi ka të bëjë me ‘Tendinën e Akilit’. Një dëmtim që Uzunin e ka bezdisur edhe më parë.

“Analizat kanë treguar se Uzuni vuan nga tendinopatia e Akilit në këmbën e majtë. Rikthimi i tij varet edhe nga situata si do të shkojë ky dëmtim”, - shkruhet në sqarimin e Granadës për gjendjen e sulmuesit shqiptar.

Duket se ky dëmtim është bërë kronik për sulmuesin kuqezi dhe nuk mund të thuhet se kur do të jetë i gatshëm për lojë. Për vetë futbollistin është një situatë ankthi, sepse po afron Europiani i Gjermanisë, që ai nuk dëshiron ta humbasë kurrsesi.

Trajneri Silvinjo e ka në listën e tij Uzunin, por nëse ai nuk do të jetë 100% gati fizikisht, atëherë rrezikon të mbetet jashtë. Futbollisti 28-vjeçar ka pasur një ecuri të mirë në aspektin individual në Spanjë, edhe pse skuadra e tij po bie nga La Liga. Gjatë kualifikueseve të Kombëtares Uzuni nuk ka mundur të zërë një vend titullari në formacionin e trajnerit Silvinjo.

Në grumbullimin e fundit të kuqezinjve munguan për shkak dëmtimi mbrojtësit Ardian Ismajli dhe Arlind Ajeti, por edhe portieri Etrit Berisha pati shqetësime fizike dhe nuk luajti asnjë minutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë